"Fatkeqësi në sektorin e ekonomisë së ushqimit"/ Rrapaj: Nuk është parë në bujqësi që të qëndroj kaq gjatë uji nëpër parcela

Në një lidhje direkte për OraNews ka qenë kreu i Këshillit të Agrobiznesit shqiptar, Agim Rrapaj i cili ka folur për situatën e përmbytjeve dhe rrëshqimit të dherave që kanë përfshirë hapësira të mëdha bujqësore në vend.

Rrapaj u shpreh se nuk ka ndodhur ndonjëherë që reshjet e dendura të shiut të përfshijnë kaq gjatë territorin e zonave rurale dhe dëmi i shkaktuar është kolosal.

“Po ka ndodhur një fatkeqësi prej shumë kohësh në të gjithë sektorët e ekonomisë të ushqimit. Nuk është parë në bujqësi që të qëndroj kaq gjatë uji nëpër parcela.

Në këtë volum kaq të madh, në sipërfaqe të madhe dhe njëkohësisht në thellësi të madhe të ujit. Njëkohësisht nuk është parë që të shoqërohet me një ngricë të vazhdueshme, kaq gjatë sa ka vazhduar këto ditë.

Nuk është parë dhe njëkohësisht reshjet e dëborës, të cilat kanë rënë në mënyrë intensive.

Njëkohësisht nga përrenjt dytësorë siç ishte rasti i Gjirokastrës, nuk ishte vërrejtur ndonjëherë një goditje kaq e madhe përmes ujit, përmes përmbytjes.

Ka qenë e veçantë edhe koha. Fermerët nuk e prisnin një situatë kaq dramatike sa ka ndodhur. E shoqëruar kjo me disa mangësi që kanë ndodhur në investimet  e kryera në ujitje dhe kullim, në mos kryerjen e plotë të tyre.

Një kohësisht në mos marrjen e masave dhe në mos kryerjen e investimeve në prirjen malore, në pyllëzimin e faqeve që duhen pyllëzuar dhe që natyrisht kanë efekt te rrëshqitja e tokës.”- tha ai.