U akuzua se braktisi tre fëmijët/ Nëna nga Durrësi: Shtëpia ishte në atë gjendje nga përmbytjet
33-vjeçarja Blerina Basha, e cila u akuzua se braktisi 3 fëmijët e saj të mitur brenda banesës në Durrës, ka treguar detaje të tjera në lidhje me rastin.
Në versionin e saj, ajo sqaron se gjendja e shtëpisë ishte pasojë e mungesës së ujit prej më shumë se një jave, pasi pallati ku banon kishte mbetur pa furnizim si pasojë e përmbytjeve që pushtuan qytetin.
Ajo deklaron se detyrohej t’i linte fëmijët vetëm në shtëpi për shkak se duhej të punonte për t’i mbajtur, por thekson se nuk do t’i braktiste kurrë ata.
“Është vënë dorë nga të tjerë për të më hedhur poshtë për gjendjen e shtëpisë. Nuk kam kontakte me familjen e burrit.
Burri, që nga momenti që ka dalë nga burgu, muajt e fundit më ka dërguar lekë, por me 180 mijë lekë çfarë mund të bëj nëse rri në shtëpi 24 orë?
Fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë sepse kanë qenë të sëmurë; kam dorëzuar raport mjekësor në shkollë.
Ata kanë qenë dy javë pushim. Ditën e martë ndodhi përmbytja, rruga jonë u bllokua dhe që nga ai moment pallati im ka mbetur pa ujë dhe pa drita.
Nuk kam abuzuar me fëmijët. Po të doja t’i lija vetëm, do ta kisha bërë më parë, jo sot.”- ka thënë 33-vjeçarja për mediat.

