Hoxha: SHBA kanë hyrë vetë në lojë, duan të bëjnë spastrim të krimit në Shqipëri!

Sanksionet e Departamentit Amerikan të Thesarit ndaj anëtarëve të familjes Hysa për pastrim parash në favor të kartelit meksikan Sinaloa, kanë zbuluar lidhje të thella dhe shqetësuese.

I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, gazetari Artan Hoxha risolli në vëmendje një takim i realizuar në tetor të vitit 2020 në kryeministri, ku i pranishëm ishte Luftar Hysa, së bashku me një eurodeputet gjerman dhe një këshilltar të kryeministrit Rama, që sipas gazetarit hedh dritë mbi ndikimin e grupeve kriminale në nivelet më të larta të politikës shqiptare.

Sipas Hoxhës, takimi u realizua pas kërkesës së familjes Hysa për të marrë një licencë kazinoje në Shqipëri, dhe kjo ndodhte ndërkohë që, sipas autoriteteve amerikane, e njëjta familje përdorte rrjetin e saj të kazinove dhe restoranteve në Meksikë për të pastruar paratë e fituara nga trafiku i drogës për llogari të kartelit të fuqishëm Sinaloa.

Strukturat amerikane, përfshirë agjencinë antidrogë DEA, tregon ndër të tjera gazetari Hoxha, kanë vite që hulumtojnë veprimtarinë e organizatave kriminale shqiptare, të cilat i kanë kthyer operacionet e tyre në një shqetësim ndërkombëtar. Këto grupe, me bazë rekrutimi dhe qendër operacionesh në Shqipëri, kanë shtrirë aktivitetin e tyre nga Amerika Latine, ku kontrollojnë burimin e kokainës, deri në tregjet fitimprurëse të Amerikës së Veriut, Europës, Azisë dhe Australisë.

Paprekshmëria e këtyre rrjeteve brenda Shqipërisë, për Hoxhën, i atribuohet mbështetjes së fortë politike dhe korruptimit të agjencive ligjzbatuese. Përfshirja e tyre në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit, përfshirë ndikimin në procese zgjedhore, ka krijuar një ambient ku krimi i organizuar vepron pa u ndëshkuar, ndërsa fijet e këtij rrjeti shtrihen deri te projekte madhore si ai i portit të Durrësit.

Hetimet tregojnë se lidhjet e biznesit dhe marrëveshjet e dyshimta, të promovuara direkt nga krerët e qeverisë, përfshijnë personazhe dhe kompani tashmë të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Duke konstatuar se këto grupe përbëjnë një rrezik direkt për sigurinë kombëtare amerikane dhe përballë dështimit të autoriteteve shqiptare për të vepruar, SHBA duket se ka vendosur të marrë vetë në dorë situatën, ku Uashingtoni pritet të godasë, sipas Hoxhës jo vetëm organizatat kriminale, por edhe të gjithë personat në politikë dhe institucione që u kanë ofruar mbështetje dhe kanë mundësuar veprimtarinë e tyre.

ARTAN HOXHA: "Ne e kishim parë në mediat shqiptare, në ekranet e televizioneve shqiptare, pas një takimi të realizuar në tetor të vitit 2020 në zyrën e kryeministrit Rama, së bashku me një eurodeputet të Partisë, të Partisë Gjermane të CDU, me zotin Hapman dhe po ashtu dhe një këshilltar i i zotit Rama. Ky takim në fakt, vetë kryeministri më vonë e pranoi dhe e pohoi që e kishte bërë për shkak të kërkesës të realizuar nga familja Hysa për të marrë një licencë kazinoje tashmë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, Departamenti i Thesarit e ka sanksionuar për pikërisht për këtë gjë, sepse ka përdorur kazinotë dhe restorantet e veta, pra rritjen e kazinove, se s'kishte vetëm një kazino, dhe rritjen e restoranteve, restoranteve në shtetin e Meksikës, për të pastruar pikërisht paratë e fituara nga narkotrafiku për llogari të kartelit Sinaloa. Këto para kishin hyrë, ishin kontrabanduar brenda territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më pas ishin ricikluar si para të pastra për llogari të kësaj familje dhe për llogari të kartelit Sinaloa. Pra, ky ishte një nivel tjetër. Ne kishim dëgjuar shumë histori të tjera. Unë së paku që nga viti 2016 isha marrë  konkretisht me familjen Hysa me origjinë nga Belshi.

Por vazhdimisht ke patur dhe sulme, madje në një rast, një ditë mbasi unë pata folur publikisht në media në lidhje me këtë familje dhe lidhjet e saj që kishte në Shqipëri, në Amerikën Latine, në Meksikë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, menjëherë të nesërmen u shfaq në publik, për herë të parë, në një intervistë ai që identifikohet si kreu i kësaj familje, pra Luftar Hysa. Po, për fatin tonë të mirë, në thonjëza, ne duhet, sidomos kur kemi të bëjmë me lidhje që shkojnë deri lart në kupolën e pushtetit, duhet të mirëpresim, thashë në thonjëza dhe sulme të tilla. Dhe sigurisht, për sa kohë kemi prova, jemi të bindur për atë të vërtetë që po themi, sigurisht që duhet të përballemi me një situatë të tillë. Për më tepër kur sulmi vjen dhe nga media që ka një mbështetje të fortë me pushtetin, sepse në këtë rast, kjo është lidhja më e madhe direkte, e cila është sanksionuar nga Departamenti i Thesarit.

Ky veprim i bërë në 13 nëntor jo më shumë se para dy muajsh. Pra, e vendosi Shqipërinë në një nivel tjetër. E vendosi qeverinë shqiptare në një nivel tjetër. Gjithsesi, ky ishte simboli i asaj që ne as e kishim menduar ndonjëherë që do të vinim në këto nivele dhe në këto përmasa me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani të kthehemi te pyetja jote dhe te vizita që ka bërë përfaqësuesja më e lartë që ka Shtetet e Bashkuara në Shqipëri, me drejtuesit e SPAK-ut dhe të BKH-së. Tashmë autoritetet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesisht DEA, Departamenti i Luftës Antidrogë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka të hulumtuar prej vitesh.

E ka tashmë të identifikuar, e ka të qartë mënyrën se si funksionojnë organizatat kriminale shqiptare. Sidomos për trafikun e kokainës, i cili është një shqetësim tashmë ndërkombëtar. Dhe për më tepër, organizatat e kriminale shqiptare janë të vendosura prej më shumë se një dekade e gjysmë në Amerikën Latine, pra në vendin e origjinës, në vende prodhuese si Kolumbia, Peruja e Bolivia, dhe po ashtu në vendet tranzit siç janë Brazili, Ekuadori dhe Meksika, për të kryer trafik të kokainës në disa kontinente. Duke, duke filluar nga Amerika e Veriut, pastaj tregun tjetër që është tregu më i pasur, është tregu europian, dhe po ashtu në drejtim të kontinentit aziatik dhe të kontinentit australian.

Pra tashmë ne kemi pothuajse një korporatë të tërë kriminale e cila është e shtrirë në gjithë botën dhe origjina e saj, qendra e saj, aty ku ajo krijon si të them, dhe rekruton anëtarët e saj, është pikërisht Republika e Shqipërisë. Dhe tashmë, Departamenti amerikan i antidrogës ka të identifikuar cilat nga këto organizata kriminale qëndrojnë stoikisht në Shqipëri për të përballuar trafikun ndërkombëtar, për të përballuar goditjet që ato mund të marrin në kontinente të tjera, dhe po ashtu ka identifikuar lidhjet e tyre me pushtetin në Shqipëri, të cilat bëjnë që këto organizata të jenë të paprekshme deri tani në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sigurisht, ku kanë krijuar një mbështetje shumë të madhe, duke mbështetje politike gjithmonë, mbështetje me dhe korruptim të agjencive të zbatimit të ligjit, dhe sidomos përfshirje të tyre, pra të njëjtat organizata që bëjnë narkotrafik deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të Republikës së Shqipërisë. Pra tashmë rreziku nuk është më vetëm në Shqipëri, po përbëjnë rrezik direkt për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto organizata kriminale që janë identifikuar si të përfshira në këtë industri globale të narkotrafikut dhe për më tepër, në këtë industri që ndikon direkt në jetën e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë ato janë shënuar dhe do të goditen një nga një. Duke patur parasysh dhe personat që i kanë ndihmuar dhe që kanë krijuar lidhjet e duhura të këtyre organizatave. Ti sapo fole pak më për atë projektin në Durrës. Pikërisht, lidhjet të çojnë nga Amerika Latine, pra drejt, drejt edhe atij projekti në Durrës, i cili në pamje të parë duket sikur është krijuar thjesht për të krijuar, pra për të patur një lehtësi fiskale nga disa kompani shqiptare, por në fakt nuk kemi të bëjmë thjesht me kompani shqiptare, kemi të bëjmë me një deal apo me një marrëveshje të kryera midis qeverisë shqiptare, kryeministrit dora vetë që e ka propaganduar këtë si sipërmarrje, me disa personazhe të cilët tashmë janë të sanksionuar dhe të identifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si entitete, si, edhe si personazhe, si person fizik, por edhe kompanitë e tyre, që janë të përfshira në këtë trafik ndërkombëtar të narkotikëve, kryesisht kokainës.

Licencën lokale ne e kemi patur për kanabis edhe për heroinë, por makutëria, babëzia, etja pastaj për miliardat që lëvrohen nga narkotrafiku, tashmë e provuar, ne e dimë se çfarë kanë bërë në zgjedhjet e 2021-it, ne i pamë se çfarë bënë në zgjedhjet e 2025-ës, ne e pamë konkretisht se si ata ndikojnë në jetën politike të këtij, dhe ekonomike të këtij vendi dhe në këto kushte, me sa duket Shtetet e Bashkuara tani i po thonë mjaft kësaj historie dhe duke pritur pafundësisht që këtë veprim ta kryejnë autoritetet tona, ato tashmë e kanë humbur besimin dhe kanë vendosur të hyjnë vetë në lojë dhe ta bëjnë vetë këtë spastrim të këtij niveli kriminal të krijuar në Republikën e Shqipërisë".