Fshatrat Bishan dhe Fitore nën ujë, qytetari: Shteti po tallet me ne, mungojnë komisionet e vlerësimit

Banesat dhe tokat bujqësore të banorëve në fshatrat Bishan dhe Fitore janë goditur rëndë nga përmbytjet e shkaktuara nga lumi Vjosë. Banorët ankohen për dëme të mëdha në pronat e tyre dhe theksojnë mungesën e një komisioni vlerësimi, i cili do të duhej të vinte për të konstatuar dëmet dhe për të ofruar ndihmë konkrete.

Tetë ditë pas përmbytjes, banorët e fshatrave Bishan dhe Fitore ende nuk kanë parë asnjë komision vlerësimi.

Sipas informacionit nga terreni, mbi 300 hektarë tokë kanë qenë nën ujë, duke shkaktuar dëme të shumta në serat dhe në tokat e mbjella. Banorët ankohen se lumi Vjosë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur banesat dhe parcelat e tyre.

Dje, për shembull, niveli i lumit arriti 7.5 metra, duke përmbytur sërish banesat pranë urës së Mifolit, me ujë deri në 50 centimetra brenda shtëpive. Banorët janë të parët që preken nga përmbytjet, dhe dëmet janë të konsiderueshme.

Një banor i fshatit Bishan foli për situatën e krijuar duke theksuar :Tani pas përmbytjes dalin dëmet që lumi ka shkaktuar gjatë vërshimit të Vjosës. Ne, si banorë të fshatit Bishan, kemi pësuar shumë dëme në tokat bujqësore. Komuna apo bashkia nuk po arrin të hapë kanalet sepse uji nuk ka ku të shkojë. Ne i lutemi qeverisë të dërgojë një eskavator; nuk është një problem i madh, një eskavator aty bën namin dhe brenda pak ditësh toka do të ishte pastruar dhe e përgatitur për mbjellje. Por toka jonë nuk bëhet më e mbjellshme as sot dhe as për tre muaj. Nuk arrijmë të rikuperojmë mbjelljet: grurë, elb, jonxhishte – gjithçka është e dëmtuar. Lumi ka lënë baltë dhe e ka mbuluar tokën, kështu që prodhimi ynë nuk mund të nxirret. Nuk kanë ardhur as të interesohen, as të shikojnë parcelat për të vlerësuar dëmet më të mëdha në bujqësi.

Banori vijoi duke kritikuar ndihmën e ofruar deri tani:

“Asnjë dëmshpërblim konkret nuk ka ardhur. Ne marrim vetëm disa thasë me miell, 20-25 kg, që nuk zgjidhin asgjë. Ndihma duhet të jetë reale: të sjellin ballat, koncentratë, të ndihmojnë fshatarin për të rikuperuar tokën dhe prodhimin. Kjo është tallje dhe qesharake. Situata e tillë ka ndodhur ndër vite, dhe asnjëherë nuk është marrë seriozisht.”

Banorët kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet: hapjen e kanaleve të ujit, vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve, si dhe mbështetje reale për të rikuperuar tokat dhe prodhimet e shkatërruara nga përmbytjet.