Atentati me një viktimë, Ramazan Rraja në gjyq: Arjan Ndojn, Vullnet Muçën, Aleksandër Lahon, i kam parë vetëm në televizor
Në gjyqin për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, dëshmoi Ramazan Rraja. Ai deklaroi se nuk ka pasur konflikte me askënd përpara arrestimit dhe se disa të pandehur i ka njohur vetëm në burg.
Rraja tha se ka përdorur një numër telefoni në vitin 2019, të regjistruar në emrin e tij, dhe kishte WhatsApp-in e instaluar, por nuk kishte përdorur aplikacione të enkriptuara.
Ai pohoi se nuk kishte siguruar kushte për ngjarje të ndonjë personi dhe nuk kishte automjete në përdorim në momentin e arrestimit.
Ai ka thene po ashtu se nuk njihte Arjan Ndoj, Vullnet Muçën, Aleksandër Lahon dhe të tjerë, përveçse i kishte parë në televizor. Po ashtu, Ramazan Rraja tha se nuk kishte detyrime financiare ndaj të pandehurve dhe nuk kishte dijeni nëse familjarët e tij janë takuar me familjen e Genci Malokut, i cili mbeti viktimë e atentatit.
Dëshmia e Ramazan Rrajës: “Kam jetuar edhe jashtë edhe në Shqipëri. Nuk kam pasur konflikte me askënd përpara se të arrestohesha.
Plaurent Dervishajn e njoh, Redjan Rrajën e kam kushëri, Julian Meçajn e njoh, ndërsa të pandehurit e tjerë i kam njohur në burg.
Në 2019-ën kam pasur një numër telefoni në përdorim, e kam vënë në dispozicion gjatë procesit që ka qenë hetimi. Ka qenë i regjistruar në emrin tim. Kam pasur Whatssupin të instaluar.
Në Durrës kam qenë në lokalin “Zodiac”, nuk e kam idenë kush është pronari. Jam ulur vetëm një herë para vitit 2019. Arjan Ndojn, Vullnet Muçë, Aleksandër Lahon, etj., nuk i njoh, i kam parë vetëm në televizor. As Ervin apo Luan Matën.
Lokali “Viktoria” nuk e di ku ndodhet. Nuk kam pasur aplikacion të enkriptuar. Jam dënuar për “sigurim kushtesh””, nuk di të kem siguruar kushte për ndonjë ngjarje.
Nuk kam siguruar kushte as për Arjan Ndojn, as për Genci Malokun. Nuk kam pasur asnjë automjet në përdorim në momentin që jam arrestuar.
Kam dijeni që kanë dashur të vrasin familjarët e mi, mesa kam parë në media. Edhe për këtë nuk shqetësohem, gjumin e bëjmë rehat edhe në rrugë të madhe.
Nuk kam dijeni nëse familjarët e mi janë takuar me familjen e Genci Malokut (babai i Andi Malokut që mbeti i vrarë në atentat).
Me Plaurent Dervishajn jam takuar vetëm një herë për kafe, detyrim financiar nuk i kam as atij, as ndonjërit. Në 1 nëntor kam qenë jashtë territorit të Shqipërisë përpara dhe pas asaj ngjarjeje”.
Bashkim Haxhia refuzon të dëshmojë, e po ashtu ka refuzuar të dëshmojë edhe Endrit Sinani.
Prokurori Adnan Xholi kërkon që në seancën e radhës të merren në pyetje dy të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juliaj Meçaj.

