Drejtësia nuk matet me shpejtësi/ Sadushi: Koherenca është siguri juridike
Me rëndësi, sipas Sadushit, është që të shqyrtohen dosjet, por nëse ato do të jepen pa koherencë, ato do të sjellin më shumë konflikte
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i pranishëm në konferencën Kombëtare “Cilësia e drejtësisë”, ka folur në lidhje me sistemin e drejtësisë, duke theksuar se një vendim i pa kuptuar, është një konflikt i hapur nesër.
“Shpejtësia është e rëndësishme, por pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra, prova kryesore mbetet vendimi I arsyetueshëm, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm”.
“Koherenca e jurisprudencës nuk është luks, por siguri juridike. Zbatimi i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë nuk është njëlloj i zbatueshëm në të gjitha gjykatat. Praktika e njehsuar ndikon në rritjen e cilësisë së arsyetimit. Jurisprudenca i shërben drejtësisë dhe njëkohësisht dhe efikasitetin”.
“Shpejtësia është e rëndësishme, por pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra, prova kryesore mbetet vendimi I arsyetueshëm, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm”.
“Koherenca e jurisprudencës nuk është luks, por siguri juridike. Zbatimi i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë nuk është njëlloj i zbatueshëm në të gjitha gjykatat. Praktika e njehsuar ndikon në rritjen e cilësisë së arsyetimit. Jurisprudenca i shërben drejtësisë dhe njëkohësisht dhe efikasitetin”.
Ai deklaroi se cilësia e drejtësisë në Shqipëri nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo me statistikat për ngarkesën e çështjeve, por mbi të gjitha me qartësinë, forcën e arsyetimit dhe parashikueshmërinë e vendimmarrjes gjyqësore.
Sadushi theksoi se shpejtësia pa arsyetim dhe pa një praktikë të qëndrueshme përbën rrezik serioz për sigurinë juridike.
“Shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike”, u shpreh ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në qendër të diskutimit rolin e jurisprudencës, veçanërisht asaj të kësaj gjykate, si një shtyllë kyçe për besimin e publikut dhe stabilitetin në zbatimin e ligjit.
Sipas Sadushit, përgjegjësia e Gjykatës së Lartë shkon përtej zgjidhjes së mosmarrëveshjeve individuale.
“Gjykata e Lartë nuk jep vetëm zgjidhjen e një çështjeje konkrete, por ndërton standardin për gjykatat më të ulëta dhe forcon parashikueshmërinë në zbatimin e ligjit”, theksoi ai.
Në këtë kuadër, gjatë konferencës u prezantua botimi i integruar i jurisprudencës, i cili synon ta bëjë praktikën gjyqësore të konsoliduar më të aksesueshme dhe më të përdorshme për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe publikun. Sadushi e cilësoi këtë botim si një mjet të domosdoshëm pune dhe jo thjesht një referencë teorike.
“Synimi është ta kthejmë standardin në mjet pune, që gjendet lehtë, kuptohet njëlloj dhe përdoret realisht në arsyetim”, u shpreh ai.
Sadushi pranoi se zbatimi i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor, duke evidentuar dallime në stilin e arsyetimit dhe në njohjen e praktikës gjyqësore.
“Në disa raste vendimet citohen formalisht, por nuk bëhen pjesë e arsyetimit juridik; në të tjera, praktika përkatëse nuk merret fare në konsideratë”, deklaroi ai, duke theksuar se kjo situatë kërkon njohje, përdorim dhe përgjegjësi profesionale.
Sipas tij, praktika e njësuar ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsyetimit dhe në uljen e ankimeve të panevojshme.
“Kur gjykatat mbështeten në një praktikë të konsoliduar, vendimet bëhen më bindëse dhe më të qëndrueshme”, theksoi Sadushi, duke shtuar se jurisprudenca i shërben njëkohësisht drejtësisë dhe efikasitetit.
Konferenca u organizua me mbështetjen financiare dhe teknike të projektit EU4Justice, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, dhe synon krijimin e një platforme reale debati mbi mënyrën se si zhvillimi dhe njësimi i praktikës gjyqësore mund të rrisin cilësinë e drejtësisë dhe të ulin kostot e moskoherencës në sistem.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Sadushi theksoi se qytetari nuk duhet ta “hamendësojë” drejtësinë, por ta parashikojë atë.
“Qytetari nuk e mat drejtësinë nga fjalët, por nga vendimet tona. Çdo vendim duhet të jetë i kuptueshëm, i arsyetuar dhe i parashikueshëm”, u shpreh ai, duke shtuar se e kundërta e cilësisë nuk është thjesht gabimi, por arbitrariteti.
