Reshje të dëborës deri në 40 cm/ Fshatra të izoluara dhe mungesë energjie në Dibër

Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme të shumta në disa njësi administrative të Qarkut Dibër. Prej ditës së djeshme, në shumë zona mungon energjia elektrike.

Trashësia e borës në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr ka kaluar mbi 40 centimetra.

Bashkia Dibër po punon intensivisht për hapjen e rrugëve drejt fshatrave, megjithatë në këto momente raportohet se ende ka fshatra të izoluara.

Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra.

Rruga Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të mëdha.

Ndërsa segmenti te Ura e Çerenecit – Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, por po punohet për hapjen e tij.

Rruga Peshkopi–Tiranë është e qarkullueshme pa zinxhirë.

Në të gjithë qarkun, strukturat përkatëse po vijojnë punën për pastrimin dhe hapjen e rrugëve rurale.