VJOSA PO “FRYHET” SËRISH/ Lumenjtë po shtojnë prurjet nga reshjet dhe shkarkimet e HEC-eve
Prurjet e lumenjve në vend, sidomos Vjosë, Seman, Shkumbin, Mat, Osum dhe Devoll, po rriten sërish pas reshjeve të shiut dhe shkarkimeve nga HEC-et, duke rikthyer rrezikun e përmbytjeve në zonat fushore dhe malore.
Në Fier dhe Vlorë, lumi Vjosa arriti në gati 6 metra pranë Ura e Mifolit, ndërsa në Shkodër, niveli i lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, me rrugë të kalueshme vetëm me mjete të larta.
Në Durrës, janë evidentuar 1 711 banesa të dëmtuara dhe janë evakuuar 851 persona në zonat Sukth dhe Katund i Ri. Në Lezhë, niveli i ujit ka rënë përgjithësisht, por lumenjtë Mat, Fan i Vogël dhe Zmeja po gërryejnë toka bujqësore dhe rrezikojnë infrastrukturën.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal gjatë qarkullimit dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme në zonat e përmbytura, ndërsa strukturat shtetërore mbeten në gatishmëri 24 orë për monitorimin dhe menaxhimin e situatës.
