Ngrica pas borës dhe rrëshqitje nga shiu/ Policia apelon: Shmangni lëvizjet e panevojshme



Reshjet e dendura të dëborës dhe ngricat kanë shkaktuar bllokime serioze në disa akse kryesore të vendit. Në Rrugën e Arbrit, qindra automjete u bllokuan pranë Tunelit të Murrizit, kryesisht për shkak të mungesës së gomave dimërore, duke penguar edhe punën e mjeteve borëpastruese.

Probleme të ngjashme raportohen në Rrugën e Llogarasë në Vlorë, zonat malore të Shkodrës dhe Kukësit, ku trashësia e dëborës në Vermosh dhe Qafë Thorë ka arritur deri në 1.5 metra. Në disa akse, si Qukës-Qafë Plloçë dhe Qafë Thanë-Pogradec, kalimi bëhet vetëm në një sens.

Në Pogradec dhe Korçë, reshjet kanë shkaktuar edhe probleme me energjinë elektrike, ndërkohë që disa familje janë evakuuar për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Në Elbasan, rruga e Gjinarit, një destinacion turistik dimëror, gjithashtu u bllokua për shkak të fluksit të vizitorëve dhe dëborës.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal gjatë udhëtimeve dhe për përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore.