Softa: Atë që ndodhi te “5 Maji” e kemi parë edhe te tregu i Durrësit, hetimi duhet të shkojë tek përgjegjësitë

Zjarri që përfshiu mbrëmjen e djeshme magazinat e mallrave të shumicës në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ka shkaktuar dëme të shumta material.

Por përtej dëmeve materiale, ngjarja e djeshme duket se ka ngritur pikëpyetje të mëdha sa i përket shkaqeve që shkaktuan zjarrin, por dhe mënyra se si u menaxhua situata nga institucionet.

Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa në një intervistë për “Ora News” lëshoi kritika të forta mbi sigurinë në zonë, por dhe punën e forcave të shërbimit zjarrfikës por dhe institucioneve të tjera.

“Unë kam folur herë pas here për sigurinë që ka qyteti, dhe kam folur edhe për sigurinë në tregje si ai i “5 Majit”, “Tregu Çam”, apo tregje të tjera, ku rreziku ndaj zjarreve për shkak edhe të mallrave është evident.

Ja ku kemi një situatë që për fat ka ndodhur natën, se të ishte në një orar tjetër të ditës, pasojat do të ishin akoma më fatale.

Sepse në rastet e zjarreve të menjëhershme kemi parë dhe pasoja në njerëz si në Maqedoninë e Veriut.

Pra, nëse nuk ka pasoja në njerëz kjo ka ndodhur falë kohës kur ka ndodhur zjarri.

Për përgjegjësitë, kemi parë edhe dje një grup hetimor për të gjetur shkaqet, të cilat mund të jenë nga shkaqet më banale deri tek një zjarr i qëllimshëm, pasi nuk mund ta përjashtosh një pistë të tillë në hetime, për sa kohë duhet të kemi një akt-ekspertize ku do të dalin dhe shkaqet reale të këtij zjarri.

Nga disa të dhëna që ka, mendohet se kjo është shkaktuar për shkak të energjisë elektrike.

Nëse flasim për një treg të tillë, përmasat e tij patjetër që nuk lënë jashtë përgjegjësive edhe institucionet e tjera.

Pra, duhet të ketë dhe një hetim për shkakun e zjarrit, jo vetëm për pasojat, por edhe për përgjegjësitë.

Këtu nënkuptoj Bashkinë e Tiranës, sepse pyetja e parë profesionale që të vjen menjëherë është: Këto tregje janë të certifikuara? A kanë një planimetri të caktuar për ushtrim aktiviteti?

Dihet që sistemet e ndriçimit në tregje të tilla duhet të jenë të certifikuara dhe të kontrolluara herë pas here: A ka një kontroll të tillë nga institucionet që varen nga Ministria e Energjitikës? Quhet ISHTI dhe nëse po, a ka një miratim nga ky institucion për këtë treg?!

Sepse të gjitha këto mund të jenë shkaqe që kanë shkaktuar pasoja, dhe këto pasoja janë të mëdha në dëmet materiale tek bizneset, por edhe dëm i madh ekologjik sa i pirjet përhapjes së zjarrit dhe tymit në zonë.

Dhe tjetra, në këto tregje ekzistojnë shumë rrezikshmëri e lartë sa i përket çështjes së zjarreve. Dhe këtu kam parasysh afërsinë e subjekteve sendet që ato përmbajnë dhe magazinimet e tyre.

Pastaj vijmë tek pika tjetër e elementëve të sigurisë, në rastet ku rka zjarre: A ka pika të daljeve të emergjencës? Si mund të bëhet evakuimi i njerëzve që gjenden brenda tregut?

Nëse hetimi për ngjarjen e djeshme do të shkojë tek shkaku, atëherë ai është i paplotë. Pasi duhen gjetur edhe arsyet që çuan në atë zjarr të atyre përmasave.

Përse nuk është parandaluar një zjarr i tillë jo vetëm në atë treg, por në të gjitha tregjet në Bashkinë e Tiranës?

Kemi të njëjtin model, pasi e pamë edhe në tregun e Durrësit! A nuk shërbeu rasti i Durrësit si alarm për tregjet e tjera në Shqipëri dhe sigurinë e tyre?

Pra, kjo është një ngjarje që duhet të zbresë në përgjegjësi që nga lart deri tek inspektorët, të cilët i kanë të dhënat dhe nuk i kanë referuar problematikat që ka.

Nëse nuk e hetojmë këtë lloj përgjegjësie, atëherë duhet të presim rastin e radhës”, u shpreh ndër të tjera eksperti Fatjon Softa.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E SIGURISË FAJTON SOFTA