Rusia do ta konsiderojë çdo prani ushtarake perëndimore në Ukrainë një objektiv legjitim

Rusia paralajmëroi sot se do ta konsiderojë çdo prani perëndimore në Ukrainë një objektiv legjitim për forcat e saj të armatosura, pas njoftimit nga evropianët për qëllimin e tyre për të vendosur mijëra trupa në vend pas luftës.

“Të gjitha këto njësi dhe instalime do të konsiderohen objektiva legjitime ushtarake për forcat e armatosura ruse. Këto paralajmërime janë përsëritur disa herë në nivelin më të lartë dhe mbeten të vlefshme”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Rusia dënoi edhe deklaratat, “militariste” sipas saj, pas marrëveshjes midis Kievit dhe aleatëve të tij evropianë për të vendosur trupa në Ukrainë pas përfundimit të konfliktit.

“Deklaratat e reja militariste nga i ashtuquajturi Koalicion i të Gatishëmve dhe regjimi i Kievit i bëjnë ata një bosht të vërtetë lufte”, tha Zakharova në një deklaratë.