EMRAT+PAMJET/ Goditet banda e shqiptarëve në Britani! Grabitën çanta firmato e ora, vlera e sendeve të vjedhura mbi 1 mlm paund
Banda e organizuar shqiptare që grabiti çanta firmato dhe ora luksoze në Britaninë e Madhe është goditur nga policia. Të paktën 44 vjedhje u regjistruan në disa qarqe, me dëme që tejkalojnë 1 milion paund. Të dyshuarit pranuan fajësinë dhe do të dënohen në muajin shkurt.
Goditet një nga bandat më aktive shqiptare të grabitjeve në Britaninë e Madhe. Pesë shtetas shqiptarë dhe një grua britanike janë shpallur fajtorë për një seri vjedhjesh të sofistikuara, me një vlerë totale mbi një milion paund.
Sipas Policisë së Cheshire, anëtarët e bandës hynin në ambiente duke përdorur shkallë për të arritur dritaret dhe ballkonet e katit të parë. Pasi hynin, plaçkitnin prona luksoze -bizhuteri, çanta firmato, ora të shtrenjta dhe para në dorë.
Banda ka vepruar në disa qarqe përfshirë të njohura dhe zona të pasura Barnt Green, Redditch, Nottinghamshire, duke realizuar të paktën 44 grabitje.
Në bastisjet policore në Birmingham dhe Walsall u sekuestruan dhjetëra sende luksoze, telefona celularë dhe qindra imazhe të sendeve të vjedhura, të cilat ndihmuan hetuesit të dokumentojnë të gjithë rrjetin kriminal.

Mes të dënuarve janë Endrit Nikolli, Kristian Gropcaj, George Lleshaj, Krisjian Dedndreaj dhe Sidorjan Lleshi.
Të gjithë kanë pranuar fajësinë për komplot për grabitje dhe posedim të pasurisë kriminale. Vendimi për dënimin do të shpallet më 20 shkurt në Gjykatën e Kurorës në Chester.
Autoritetet britanike e cilësojnë operacionin si goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar dhe paralajmërojnë se hetime të tjera janë ende në zhvillim.

