SHKOLLAT MES RRËNOJAVE/ Pas dy viteve lufte fëmijët e Gazës rikthehen në banka

Pas dy vitesh luftë shkatërruese, fëmijët e Gazës janë rikthyer në shkollë. Klasat janë improvizuar brenda çadrave, mbi rrënojat e institucioneve të shkatërruara, duke ofruar për mijëra nxënës një fillim të brishtë të jetës normale.

Pas dy vitesh lufte, në qytetin e Gazës po dëgjohen sërish zërat e fëmijëve që mësojnë.

Në vend të ndërtesave shkollore, sot klasat janë ngritur në çadra, mbi rrënojat e asaj që dikur ishte shkolla e qe u shkatërruar në janar të vitit 2024.

Nxënësit ecin në rresht, me krahët mbi supet e njëri-tjetrit, duke buzëqeshur drejt klasave të improvizuara.

Për shumë prej tyre, ky është rikthimi i parë në shkollë që nga fillimi i luftës.

Sipas UNICEF, më shumë se 97 për qind e shkollave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar. Nga 658 mijë fëmijë të moshës shkollore, shumica nuk kanë marrë arsim formal për gati dy vjet.

Sot, kjo shkollë improvizuar shërben për mbi 1,100 nxënës në tre turne në ditë, me vetëm 24 mësues dhe pa energji elektrike, pa internet dhe pa pajisje bazë mësimore.

Drejtori i shkollës,  thotë se para luftës nxënësit mësonin në kushte moderne, me laboratorë dhe burime arsimore. Sot, gjithçka është zhdukur.

Shumë nga fëmijët mbajnë plagë të thella psikologjike. Më shumë se 100 prej tyre kanë humbur njërin ose të dy prindërit, kanë parë vdekje dhe shkatërrim. Një këshilltar psikologjik përpiqet t’i ndihmojë, por nevojat janë shumë më të mëdha se kapaciteti.

Ndërkohë, situata humanitare mbetet e rëndë. OKB dhe organizatat e ndihmës akuzojnë Izraelin për kufizimin e furnizimeve, ndërsa bombardimet vazhdojnë pothuajse çdo ditë. Megjithatë, mes rrënojave dhe pasigurisë, fëmijët vazhdojnë të shkojnë në shkollë duke ofruar një shpresë të vogël për një të ardhme më të mirë.