Presidenti Trump propozon rritje masive për mbrojtjen në 2027, me vlerë 1,5 trilionë dollarë
Presidenti amerikan, Donald Trump propozoi që shpenzimet ushtarake të SHBA-së të arrijnë në 1,5 trilionë dollarë në vitin 2027, duke përmendur kohë të trazuara dhe të rrezikshme, sipas AP.
Trump bëri thirrje për këtë rritje të madhe të shpenzimeve vetëm pak ditë pasi urdhëroi një operacion ushtarak amerikan për kapjen e udhëheqësit venezuelian Nicolás Maduro dhe nxjerrjen e tij nga vendi për t’u përballur me akuza për trafik droge në Shtetet e Bashkuara.
Forcat amerikane vazhdojnë të grumbullohen në Detin e Karaibeve.
Buxheti ushtarak për vitin 2026 është parashikuar në 901 miliardë dollarë.
Ditët e fundit, Trump ka bërë thirrje gjithashtu për marrjen nën kontroll të territorit danez të Groenlandës për arsye të sigurisë kombëtare dhe ka sugjeruar se është i hapur për kryerjen e operacioneve ushtarake në Kolumbi.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar në mënyrë kërcënuese se kundërshtarja e vjetër Kuba është në telashe.
”Kjo do të na lejojë të ndërtojmë Ushtrinë e Ëndrrave që prej kohësh e kemi merituar dhe, më e rëndësishmja, që do të na mbajë të SIGURT dhe TË MBROJTUR, pavarësisht nga kundërshtari”, shkroi Trump në një postim në Truth Social duke njoftuar propozimin e tij.
Trump tha se ndihet i qetë për rritjen e shpenzimeve për ushtrinë për shkak të të ardhurave të shtuara që, sipas tij, administrata e tij ka krijuar përmes tarifave të vendosura ndaj miqve dhe kundërshtarëve në mbarë botën që nga rikthimi i tij në detyrë.
Qeveria amerikane mblodhi të ardhura bruto prej 288,5 miliardë dollarësh vitin e kaluar nga tarifat dhe taksat e tjera mbi akcizat, nga 98,3 miliardë dollarë në vitin 2024.
Kjo përbën një rritje domethënëse të të ardhurave nga taksimi i importeve. Por, ajo nuk mjafton për të mbuluar premtimet e ndryshme të bëra nga Trump, i cili ka deklaruar se tarifat mund të mbulojnë gjithashtu dividentë për taksapaguesit, të shlyejnë borxhin kombëtar dhe, tani, të financojnë rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Ndërkohë, Trump të mërkurën kërcënoi gjithashtu se do të ndërpresë blerjet e Pentagonit nga ”Raytheon”, një nga kontraktorët më të mëdhenj të mbrojtjes në SHBA, nëse kompania nuk i jep fund praktikës së riblerjes së aksioneve dhe nuk investon më shumë nga fitimet në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit të armëve.

