IRANI NË KËMBË/ Qytetarët ashpërsojnë protestat në ditën e 11-të të tyre
Protestat kundër qeverisë iraniane, që kanë hyrë në ditën e 11-të, janë përhapur në 111 qytete dhe kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 34 protestuesve dhe dy policëve. Fillimisht të motivuara nga kriza ekonomike, ato kanë marrë një karakter politik, me thirrje kundër udhëheqësit supreme Ali Khamenei.
Protestat kundër qeverisë iraniane janë përhapur në mbarë vendin, duke hyrë në ditën e 11-të të tyre, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë janë bërë gjithnjë e më të dhunshme.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, protestat janë regjistruar në 111 qytete, në të 31 provincat e Iranit.
Shkak kryesor i zemërimit popullor është kriza e rëndë ekonomike, e shoqëruar me rënien e fortë të monedhës kombëtare, rritjen e çmimeve dhe inflacionin që ka arritur rreth 40%.
Protestat nisën më 28 dhjetor në Teheran, fillimisht nga tregtarë dhe më pas u përhapën te studentët dhe qytetarët në qytete të tjera.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë përdorimin e armëve të zjarrit dhe gazit lotsjellës nga forcat e sigurisë, ndërsa protestuesit në disa raste kanë hedhur gurë dhe objekte të forta.
Sipas Human Rights Agency, të paktën 34 protestues dhe katër pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën, ndërsa rreth 2,200 persona janë arrestuar.
Fillimisht me kërkesa ekonomike, protestat kanë marrë shpejt një karakter politik.
Në shumë qytete janë dëgjuar thirrje kundër udhëheqësit suprem Ali Khamenei, si dhe slogane në mbështetje të ish-dinastisë Pahlavi, e rrëzuar nga revolucioni islamik i vitit 1979.
Qeveria iraniane ka deklaruar se nuk do të ndërmarrë masa kundër protestuesve paqësorë, por ka paralajmëruar ndëshkime të ashpra për ata që i cilëson si nismëtarë të trazirave.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur shpërndarjen e një ndihme mujore financiare për qytetarët, në përpjekje për të zbutur koston e lartë të jetesës.
Këto protesta konsiderohen si më të mëdhatë që nga viti 2022, kur një 22 vjeçare e arrestuar nga policia sepse nuk kishte veshur hijabin sipas rregullave të shtetit, ndërroi jetë në paraburgim duke shkaktuar trazira masive dhe një shtypje të përgjakshme nga autoritetet.
