LINI BANESAT! Urdhër evakuuimi edhe në Sukth dhe Katund të Ri në Durrës

Situata nga moti i keq mbetet problematike në Vlorë, Fier, Durrës, Lezhë. Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe rrezikon Novoselën dhe fshatin Ferras në Fier, në të cilat ka nisur evakuuimi i banorëve.

Në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga shtrati dhe toka e banesa janë të rrethuara nga uji. Urdhër evakuuimi edhe në Sukth dhe Katund të Ri. 

Një viktimë nga moti, 54-vjeçari në Durrës humb jetën pasi e mori rrjedha. Në veri, reshjet e shiut i kanë lënë vendin borës, deri më tani pa problematika.

LAJMËRIM ZYRTAR PËR EVAKUIM TË MENJËHERSHËM ????

Në zbatim të:
* Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”
* Planit Kombëtar të Emergjencave Civile
* Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:
Bashkisë Durrës,
Njësisë Administrative Sukth dhe Katund i Ri.

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me:
* Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)
* Prefektin e Qarkut përkatës
* Strukturat e Emergjencave Civile në bashki

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë:
* Fëmijët
* Të moshuarit
* Personat me aftësi të kufizuara
* Familjet në zona të izoluara

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:
* Mjetet e Bashkisë
* Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)
* Forcat e Armatosura

MENAXHIMI I STREHIMIT TË TË EVAKUARVE
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me:
* Policinë e Shtetit
* Njësitë e kujdesit shëndetësor
* Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:
* Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm
* Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore
* Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim

Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave.