Regjistrohet një viktimë nga përmbytjet në Durrës

Një person është gjetur pa shenja jete, i dyshuar i mbytur, në zonën e Plepave, në qytetin e Durrësit.

Forca të Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Deri më tani, raportohet se 54-vjeçari A. H., rezulton se ishte punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh.

Sipas informacioneve të fundit, dyshohet se viktima kishte shkuar në zonë për verifikimin e situatës, në kuadër të detyrës së tij, për shkak të problematikave të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet e ujit.

Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën.

Trupi i pajetë i 54-vjeçarit u gjet në një kanal kullues, në afërsi të ish-repartit ushtarak, pas kërkimeve të zhvilluara nga shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të tjera zyrtare në vijim.