"Katastrofë!"/ Urbanisti Muka: Banorët kanë dorëzuar një peticion me 800 firma për problematikën e kanalizimeve, asnjë masë...
Urbanisti, Ardian Muka ka qenë i ftuar në studion e "Ora e Betit" ku ka folur për situatën alarmante të përmbytjes në disa zona të Durrësit, specifikisht në zonën e ish-kënetës.
Muka u shpreh se situata është katastrofale dhe gjendja e kanalizimeve është një çështje që është ngritur më parë nga banorët e zonës, të cilët kanë firmosur një peticion duke iu drejtuar të gjitha organeve përkatëse.
Kërkesa e tyre ka qenë minimale, duke bërë fjalë këtu sistemimin dhe pastrimin e kanalizimeve.
“Jemi brenda normës, janë rrebeshe. Shkarkojnë për një moment të caktuar. Shiu nuk ka zgjatur më shumë se 3-4 orë në intensitet pjesa tjetër shi normal pa asnjë problem.
Kishte më shumë vetëtime, janë goditur edhe vinçat e portit të Durrësit.
.....
Për fat të keq jo vetëm në zonën e ish-kënetës por dhe zonën e plazhi dhe Spitallës. Në zonën e Shkozetit por zona e ish- kënetës meqë është në një zonë më të ulët, edhe sot unë vij nga terreni ku kemi takuar banorët.
Gjendja është realisht katastrofë. Janë edhe ekipet e Emergjencave Civile për mendimin tim të paktë në numër. Janë duke vepruar në një pjesë të zonës së ish-kënetës.
I kanë shpërndarë edhe në zona të tjera. Por, ajo që është problemi kryesor dhe që ne e kemi thënë, e kemi ngritur në Këshillin bashkiak. Banorët kanë dërguar një peticion me 800 firma në fillim të tetorit, drejtuar të gjithë institucioneve.
I janë drejtuar aparatit të bashkisë, Këshilli bashkiak e kanë çuar në qeveri. Ja kanë çuar Avokatit të Popullit, të gjitha organeve ku ata mund të “qahen”.
Ku kërkohet një ndërhyrje, për çfarë ata gjykojnë, pra banorët gjykojnë që ishin problematika.
Problematikat që ata kanë janë elementare.
Flasim për lirimin e kanaleve, pastrimin e tyre, flasim për ndërhyrje në sistemin e kanalizimeve. Në ndërtime abuzive që kanë bërë për persona të ndryshëm, të cilët për të shkuar në shtëpi, ndërpresin atë që është fluksi i kanalit, duke ndërtuar ato urat e famshme.”- tha ai.
