VIDEO/ Fushë-Kuqe nën ujë prej ditësh, banorët të braktisur! Deputetja Elda Hoti zbret në terren
Një situatë tejet e rëndë po vijon prej disa ditësh në Njësinë administrative Fushë Kuqe, ku zona është e pushtuar pothuajse tërësisht nga uji, ndërsa banorët denoncojnë mungesë totale të ndihmës institucionale.
Banori Bajram Shaptej shprehet se shtëpia e vëllait të tij është e përmbytur prej tre ditësh, pa asnjë ndërhyrje apo inspektim nga strukturat shtetërore apo emergjencat civile. “Askush nuk ka ardhur as për ta parë situatën,” deklaron ai, duke theksuar ndjenjën e braktisjes totale nga institucionet përgjegjëse.
I ndodhur përballë një situate pa zgjidhje, banori ka kërkuar ndihmë direkte nga deputetja Elda Hoti, e cila ka shkuar në terren për të parë nga afër gjendjen alarmante. Sipas banorëve, ajo është e vetmja përfaqësuese institucionale që ka reaguar dhe ka qenë e pranishme në zonë.
Pamjet nga terreni tregojnë banesa të rrethuara nga uji, oborre të përmbytura dhe kushte të rënda jetese për familjet që prej ditësh po përballen me këtë situatë, pa ndihmë, pa informim dhe pa asnjë zgjidhje emergjente.
Ngjarja ngre shqetësime serioze mbi funksionimin e mekanizmave të emergjencave civile dhe reagimin e institucioneve vendore në raste fatkeqësish natyrore, ndërsa banorët e Fushë Kuqes kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe mbështetje konkrete.
Banori Ndue Preni shprehet se ka bërë në mënyrë të përsëritur kërkesa pranë institucioneve vendore për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, por asnjë strukturë nuk ka ardhur në terren, ndërsa situata ka degraduar në një fatkeqësi reale për familjen e tij.
“Shtëpia, bagëtitë dhe biznesi janë nën ujë prej tre ditësh. Kryetarja e bashkisë nuk ka marrë asnjë masë,” deklaron Preni, duke theksuar se neglizhenca institucionale ka përkeqësuar ndjeshëm pasojat.
Në terren ka qenë deputetja Elda Hoti, e cila ka inspektuar nga afër gjendjen dhe ka dëgjuar shqetësimet e banorit, në një kohë kur, sipas komunitetit, mungon reagimi i pushtetit vendor dhe strukturave të emergjencave civile.
Pamjet nga zona tregojnë banesa të rrethuara nga uji, oborre të përmbytura dhe bagëti në rrezik, ndërsa banorët ndihen të lënë në harresë, pa ndihmë dhe pa zgjidhje konkrete.

