SHKARKIME ME KARAR NGA HEC-ET Rritet niveli i ujit në kaskadën e Drinit. KESH: Shtim prodhimi
Hidrocentralet e Kaskadës së Drinit vazhdojnë shkarkime të kontrolluara për shkak të prurjeve të shtuara nga reshjet intensive. KESH thotë se situata është nën monitorim, ndërsa ka shtuar prodhimin.
Hidrocentralet Kaskadën e Drinit po vijojnë shkarkimet e kontrolluara, ndërsa po përballen me prurje të shtuara në basenet ujëmbledhës pas reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë vendin.
Shkarkimet nga hidrocentrali i Komani kanë arritur në 1200 metër kub në sekondë ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës po shkarkohet një sasi prej 1600 m³/sekondë, sipas të dhënave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Portat e Fierzës nuk janë hapur.
Prurjet natyrore të ujit në kaskadë arrijnë ne rreth 3 850 metër kub për sekondë ku pjesa më e madhe regjistrohet në Fierzë me 2300 metra kub për sekondë, 1150 metra kub për sekondë në Koman dhe 400 metra kub për sekondë në Vaun e Dejës.
Ndërkohë nivelet e ujit në liqenet e hidrocentraleve paraqiten të qëndrueshme. Fierza është rritur në nivelin 285 metrave, Komani në 174.13 metra dhe Vaun e Dejës 75 metra.
Në këto kushte prodhimi energjisë elektrike paraqitet i lartë. Prodhimi ditor në kaskadë ka arritur në 12.130 MWH duke krijuar rezerva të rëndësishme ujore për prodhim energjie elektrike në vijim.
Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare thotë se situata hidrike po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim garantimin e një menaxhimi të sigurt për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për zonat përreth.

