Nga Greqia në Irlandë e vendet arabe/ Emigrantët shqiptarë fituan 663 mln euro 2024

Punësimi jashtë vendit, qoftë edhe përkohësisht, është kthyer në një tendencë të qëndrueshme për shqiptarët, çka reflektohet edhe në rritjen e të ardhurave nga puna sezonale. Afërsia me Italinë dhe Greqinë, si dhe mundësitë për punë online, kanë zgjeruar ndjeshëm gjeografinë e vendeve ku shqiptarët gjenerojnë të ardhura.

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2024 në Shqipëri u dërguan rreth 2.1 miliardë euro nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve. Nga kjo shumë, transfertat personale nga puna jashtë përbënin 31.6% ose 663 milionë euro, shifër që shënon rritje krahasuar me vitet e mëparshme, edhe pse me ritëm më të ngadaltë se në 2023.

Greqia kryeson si vendi nga ku shqiptarët dërguan më shumë të ardhura nga puna sezonale, me 156 milionë euro, e ndjekur nga Italia me 126 milionë euro dhe Gjermania me 69 milionë euro. Kontribute të rëndësishme vijnë edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Turqia, Irlanda, si dhe nga vende të tjera të BE-së dhe SHBA. Gjeografia e punësimit të përkohshëm është shtrirë deri në vendet arabe të Gjirit Persik.

Shqiptarët e punësuar përkohësisht jashtë angazhohen kryesisht në bujqësi, turizëm, shërbime dhe ndërtim, ndërsa vitet e fundit po vihet re rritje graduale edhe e punësimit në sektorin e teknologjisë së informacionit, kryesisht përmes punës në distancë.