BB përcakton tre drejtime kyçe për ndërhyrje në skemën e pensioneve

Banka Botërore vlerëson se përmirësimi afatshkurtër i skemës publike të pensioneve mund të arrihet pa një reformë të plotë, përmes masave që adresojnë dobësitë aktuale të sistemit kontributiv.

Së pari, kërkohet rritja e numrit të kontribuuesve dhe rregullsisë së pagesës së kontributeve. BB thekson se dalja e parakohshme nga tregu i punës dhe puna informale dëmtojnë seriozisht skemën. Të dhënat tregojnë se shumë pensionistë kanë ndërprerë kontributet vite përpara daljes në pension, çka nënvizon nevojën për politika që nxisin qëndrimin më gjatë në tregun formal të punës.

Së dyti, BB paralajmëron kundër rritjeve të forta të pensioneve minimale apo indeksimeve progresive, të cilat mund të ulin motivimin për kontribute. Në vend të tyre, mbështetja për shtresat në nevojë duhet të vijë përmes skemave të ndihmës sociale, pa deformuar logjikën e sistemit të pensioneve. Mbulimi i ulët në zonat rurale dhe dobësitë e skemave vullnetare mbeten sfida serioze.

Së treti, migracioni i lartë po ngushton bazën e kontribuuesve. BB sugjeron krijimin e skemave të posaçme për emigrantët, me stimuj më të përshtatshëm dhe koordinim më të mirë të të dhënave ndërmjet shteteve.

Në fund, Banka Botërore thekson rëndësinë e edukimit dhe komunikimit publik mbi pensionet, duke sugjeruar instrumente si kalkulatorët e pensioneve për të rritur transparencën, ndërgjegjësimin dhe besimin në sistem.