“ALBSIG, 21 VJEÇ”/ Hamzaj: Kemi edukuar konsumatorin në blerjen e sigurimit, kemi pasur impakt të madh
Në një intervistë me zv. Drejtorin e përgjithshëm të ALBSIG, Plarent Hamzaj për emisionin “Drejt”, ai ka treguar se si kompania e sigurimeve ka përparuar edhe pse në themelimin e saj tregu ka qenë i tejmbushur me kompani të tjera të tilla.
“Në këtë nëntor mbushëm 21 vjeç në treg. Jemi nga kompanitë lider në tregun e sigurimeve. Kemi 21 vjet që punojmë të gjithë së bashku këtu në kompani, me qëllimin final për të dëmshpërblyer të siguruarit në rastet e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit.
Unë i jam bashkuar ALBSIG-ut realisht disa vite më vonë, por mund të tregojë që kjo ishte iniciativë e grupit “Kastrati”, e Shefqet Kastrati. Ai mori nismën për të investuar në këtë treg.
Një nga qëllimet kryesore nuk ishte vetëm, le të themi investimi me qëllim fitimi por edhe investimi në këtë treg për t’i dhënë një hapësirë ndryshe këtij tregu të sigurimeve.
Sigurisht është ajo që thatë dhe ju, që ky treg ishte një treg i mbushur për vetë kapacitetin që ofronte në ato vite, por ardhja e kompanive të reja në treg solli dhe risi të reja.
Që do të thotë që nga haapt e para të ALBSIG-ut, sigurisht që ne ishim një ekip goxha i vogël në atë kohë, kemi dhënë një impakt goxha pozitiv për sa i përket tregut.
Në aspektin e edukimit për të blerë produktin e sigurimit dhe gjithashtu çfarë është më e rëndësishme kemi vërtetuar në të gjithë këto vite me rradhë që kemi pasur një qendrueshmëri shumë të mirë financiare. Kjo e dalë nga statistikat e autoriteteve që na mbikëqyrin.”- u shpreh Hamzaj.

