Nis liberalizimi i tregut të energjisë për 2300 biznese!
Prej fillimit të vitit 2026, rreth 2300 biznese të lidhura në tensionin 6 kV dalin në tregun e lirë të energjisë, duke u shkëputur nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Këto biznese kanë të drejtë të zgjedhin dhe të kontraktojnë energji nga një nga 40 furnizuesit e licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Për t’i ndihmuar, ERE ka vënë në dispozicion Platformën e Krahasimit të Çmimeve, ku bizneset mund të shohin dhe krahasojnë ofertat e ndryshme.
Në rast se një biznes nuk arrin të lidhë kontratë me një furnizues të tregut të lirë ose humbet furnizuesin ekzistues, ekziston një mekanizëm tranzitor. Klientët mund të furnizohen për një periudhë deri në 60 ditë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, shërbim që aktualisht ofrohet nga OSHEE Group. Ky mekanizëm siguron vazhdimësinë e furnizimit dhe shmang ndërprerjet në aktivitetin ekonomik.
Procesi i liberalizimit është zbatuar gradualisht, duke filluar nga konsumatorët e lidhur në tensionin 35 kV, më pas 20 kV, 10 kV, dhe së fundmi 6 kV. Autoritetet theksojnë se bizneset kanë të drejtë të ndryshojnë furnizuesin në çdo kohë, pa penalitete, ndërsa liberalizimi konsiderohet një nga reformat më të rëndësishme strukturore të sektorit të energjisë në vend.
