Dëmtimi i tubacionit në Vlorë/ Nisin hetimet, sekuestrohen kamerat e sigurisë

Ndërprerja e furnizimit me ujë të pijshëm për 5 ditë me radhë në qytetin e Vlorës do të hetohet.

Raportohet se Policia dhe Prokuroria kanë nisur veprimet e para procedurale lidhur me këtë ngjarje. Uniformat blu kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat pranë zonës ku ndodhi defekti në tubacionin kryesor të ujësjellësit, me qëllim dokumentimin e saktë të momentit, rrethanave dhe çdo elementi që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rastit.

Pamjet pritet t’i referohen Prokurorisë. Burime zyrtare bëjnë me dije se çështja do të regjistrohet për hetim, ndërsa fokusi nuk do të jetë vetëm shkaku teknik i defektit, por edhe mënyra e menaxhimit të rrjetit të ujësjellësit dhe përgjegjësitë institucionale për mirëmbajtjen e tij.

Hetimet do të synojnë të përcaktojnë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Flauers Shoshi dhe drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati, janë fytyra më e dukshme e papërgjegjshmërisë me ujin e Vlorës.