MOTI I KEQ/ Rënie inertesh në aksin Hani i Hotit-Dogana Vermosh, ndërpritet energjia në disa fshatra

Reshjet e shiut dhe dëborës kanë shkaktuar dëmtime në rrugë duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullim në disa bashki të qarkut të Shkodrës.

Prefektura e Shkodrës bëri të ditur sot se institucionet vendore dhe strukturat e emergjencave civile janë të angazhuara dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo zhvillim të mundshëm të situatës.

Në vijim të kushteve atmosferike të ditës së sotme dhe bazuar në informacionet e mbledhura nga strukturat operacionale në terren, prefektura Shkodër informon se situata në territorin e qarkut Shkodër është nën monitorim të vazhdueshëm.

Në bashkinë Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë, ndërkohë që të gjitha kapacitetet e bashkisë janë në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme. Ndërsa në bashkinë e Vaut të Dejës aktualisht nuk raportohen reshje shiu.

Në bashkinë Malësi e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje të dendura shiu. Në qytetin e Koplikut ka pasur prani uji në rrugë, por situata paraqitet në përmirësim, pasi uji po tërhiqet gradualisht.

Në fshatin Kamicë, njësia administrative Qendër, si pasojë e prurjeve nga Përroi i Thatë, janë evidentuar dëmtime në rrugën që kalon mbi të, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullim dhe në lidhjen Kamicë-Flakë, ndërsa strukturat vendore janë në ndjekje të situatës.

Në bashkitë Fushë-Arrëz dhe Pukë vijojnë reshjet e shiut (në Pukë shoqërohen edhe me erë të fortë), por deri në këto momente nuk raportohen problematika.

Sipas raportimit të Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizime Lezhë, prurjet në lumenj dhe përrenj janë shtuar, por mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Nivelet e ujit në Bunë, Drin, Kir, Gjadër dhe rezervuarin e Shtodrit janë normale, ndërsa hidrovoret e Velipojës ndodhen në gatishmëri të plotë.

Sa i përket akseve rrugore, në segmentin Bogë-Theth është regjistruar dëborë në zonën e Qafë Thores dhe qarkullimi kërkon kujdes të shtuar. Në aksin Hani i Hotit-Dogana Vermosh ka pasur rënie inertesh, por grupet e punës janë në terren dhe po kryejnë pastrimin.

Gjithashtu, janë evidentuar disa ndërprerje të energjisë elektrike në njësi administrative të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz, ndërsa ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për rikthimin e furnizimit.

Prefektura Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me autoritetet lokale.

Strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë dhe situata po monitorohet në vijimësi.