VIDEO/ Rikthehet bora në Boboshticë-Dardhë, apel për kujdes të shtuar! Jole: Akset rrugore të kalueshme

Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm segmentin rrugor Boboshticë-Dardhë, në Korçë.

"Në segmentin Boboshticë-Dardhë filluan reshjet e borës. Kontraktori po punon për largimin e dëborës dhe hedhjen e kripës.

Qarkullimi është normal në të gjitha akset kryesore të qarkut. Stafi i Drejtorisë Qendër-Lindje i Autoritetit Rrugor Shqiptar po i monitoron ato për të siguruar çdo ndërhyrje aty ku është e nevojshme.

Kërkohet nga drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të shtuar e të jenë të pajisur me goma dimërore kur udhëtojnë për në zonat me prezencë dëbore", apelojne institucionet vendore.

Nderkaq, Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për mediat se “për shkak të temperaturave të ulëta në të gdhirë të ditës së sotme ky aks rrugor u mbulua nga dëbora. Prej mëngjesit kontraktori po punon për largimin e dëborës dhe hedhjen e kripës”.

Sipas tij, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura dhe qarkullimi rrugor zhvillohet normalisht.

“Stafi i Drejtorisë Qendër-Lindje i Autoritetit Rrugor Shqiptar po i monitoron ato për të siguruar çdo ndërhyrje aty ku është e nevojshme”, tha Jole.

Jole theksoi se “nga komunikimet me strukturat vendore të Emergjencave Civile, nuk raportohen situata emergjente në territorin e qarkut Korçë. Prurjet e lumenjve dhe përrenjve paraqiten brenda kuotave normale”.

“Nga OSHEE bëhet me dije se fideri Vithkuq, NST Rehovë, është pa energji elektrike, duke prekur 205 abonentë ruralë në zonën e Lekasit (13 kabina). Po ndiqet situata nga strukturat përkatëse”, tha Jole.

Autoritetet Rrugore u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, të ulin shpejtësinë e të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, kur udhëtojnë në zonat me prani dëbore.