Makina pa targa, a*më automatike dhe dr*gë në Shkodër: Arrestohet 25-vjeçari pas 9 muajsh, një tjetër në arrati
Kjo makinë u gjet në zonën e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në Shkodër gjatë një aksioni të Policisë më 29 prill të vitit 2025.
Mjeti fuoristradë ishte pa targa, por nga verifikimet rezultoi se ishte vjedhur në Durrës.
Dyshohet se po mbahej e fshehur me qëllim për tu përdorur për veprimtari kriminale, por u zbulua gjatë një operacioni të Policisë locale.
Policia atë ditë gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Gati 9 muaj nga zbulimi I makinës dhe arsenalit të armëve, policia e Shkodrës njoftoi se ka arritur të arrestojë një person të shpallur në kërkim si pjesë e operacionit të Koduar Livadhet, ndërsa një tjetër mbetet në arrati
Në pranga u vu Seid Curraj, 25 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi B. B., 39 vjeç, gjithashtu banues në këtë qytet.
Gjykata e Shkodrës ka caktuar për ta masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Hetimet ndërkohë vijojnë për të zbuluar më shumë mbi personat që mund të lidhen me makinën pa targa dhe arsenalin e armëve të zbuluar në një prej zonave të cilësuara problematike të Shkodrës, ku ndër vite janë shënuar disa ngjarje kriminale.
