VIDEO/ Babagjyshi vjen nga ajri për fëmijët në shëtitoren e Himarës
Në Himarë, babagjyshi ndryshe nga viti i kaluar ka ardhur nga ajri, duke kthyer Krishtlindjen në një festë magjike që fëmijët do ta mbajnë mend gjatë.
Kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo publikoi pamje nga atmosfera e gëzueshme e fëmijëve.
“Shëtitorja e Himarës u mbush me buzëqeshje, emocione dhe gëzim të pafund për fëmijët tanë. Me rastin e festës së Krishtlindjes, u shpërndanë dhurata për më të vegjlit, duke sjellë ngrohtësi, dashuri dhe frymën e vërtetë të festës në çdo cep të qytetit.
Momenti më i veçantë i ditës ishte pa dyshim ardhja surprizë e Babagjyshit, këtë vit jo nga deti, por nga ajri, duke zbritur mbi Himarë dhe duke kthyer këtë ditë në një përvojë magjike që fëmijët do ta mbajnë mend gjatë”, theksoi Tavo.
Ardhja e Babagjyshit nga ajri ishte një surprize e bukur për të gjithë në një dite feste, ku Himara këtë vit ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të festuar së bashku me banorët dhe fëmijët.
“Himara feston me zemër të madhe, me vëmendje për fëmijët dhe me aktivitete që forcojnë ndjenjën e komunitetit dhe gëzimin e përbashkët. Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë”, shkruan Tavo.
Mes gëzimit të festës dhe këtij momenti të veçantë nuk kanë munguar urimet edhe nga fëmijët e banorë të Himarës në festën e Krishtlindjeve./ATSH

