Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen/ Mesha në katedralen e “Shën Palit”, Imzot Dodaj: Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor
Krishtlindja është një nga kremtimet më të rëndësishme për miliona besimtarë në të gjithë botën, të cilët kanë Jezu Krishtin në qendër të besimit të tyre fetar.
Për të krishterët, 25 dhjetori shënon ngjarjen në të cilën Zoti u bë njeri, i lindur si një foshnjë e pafuqishme në një stallë për bagëti. Mishërimi i Zotit është një moment kyç në historinë e shpëtimit dhe kuptohet si fillimi i një akti dashurie hyjnore për njerëzimin që kulmon me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit në Pashkë. Lindja e Krishtit zbulon paradoksin e madhështisë hyjnore të shprehur përmes një foshnjeje të brishtë dhe varfërisë njerëzore.
Historia e Krishtlindjeve është e mbushur me mrekulli dhe kontraste simbolike: një virgjëreshë shtatzënë, barinjtë që lajmërohen nga engjëjt dhe një foshnjë të cilës i dhurojnë pasuri tre mbretër.
Teologjikisht, këto ngjarje e identifikojnë Jezusin si Mesinë e profetizuar dhe të shumëpritur që do të sjellë shpëtimin shpirtëror. Si një përmbushje e tillë e profecisë së Dhiatës së Vjetër, Jezusi quhet edhe Emanuel në Mateu 1:23, që do të thotë “Zoti është me ne”, një emër që shpreh besimin e krishterë se Zoti hyri fizikisht në historinë njerëzore. Keshtu, sezoni i Krishtlindjes është i mbushur me shpresë dhe gëzim për të krishterët që besojnë në një Zot të dashur dhe të pranishëm.

Që nga fillimi i shekullit të 20-të, Krishtlindja u transformua gjithashtu në një festë laike familjare, e respektuar edhe prej jo-të krishterëve e karakterizuar nga një shkëmbim dhuratash. Pjesë e kësaj feste u bë edhe një figurë mitike e quajtur Babagjyshi i Krishtlindjes. Periudha festive nis me Adventin deri në Epifani dhe është një sezon i pasur me tradita të panumërta fetare dhe laike që bashkojnë familjen, besimin dhe kulturën, duke theksuar temat e shpresës, gëzimit, bujarisë dhe vullnetit të mirë.
Besimtarët katolikë në meshën e Krishtlindjes

Ndërkaq, besimtarët katolikë morën pjesë në meshën e Krishtlindjes në mesnatë, në katedralen e “Shën Palit”.
Mesha u drejtua nga kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj.
“Netët e mbara të historisë së njerëzimit nuk janë një dritë e fortë që imponon, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e çdo njeriu. Ajo përshkon shekujt dhe arrin tek ne, këtu, sonte. Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor, sikurse kemi shtegtuar në këtë vit jubilear të shpresës, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari. Jezusi mbetet për ne gjithmonë Zoti ynë, por edhe vëllai ynë. Leximet e kësaj nate, që sapo kemi dëgjuar, na ndihmojnë të kuptojmë se Krishtlindja nuk është thjesht premtimi i një përkujtimi të një ngjarjeje të kaluar. Sot shumë njerëz përjetojnë errësirën, siç dëgjojmë dhe shohim në luftë”, tha Imzot Arjan Dodaj.
Në meshë ishin të shumtë besimtarët katolikë të pranishëm, të cilët pritën mes lutjesh mbërritjen e mesnatës së 25 dhjetorit, lindjen e Jezusit.

Krishtlindja është nga festat më të rëndësishme në kalendarin e besimtarëve katolikë, por edhe atyre ortodoksë, të cilët meshën e festës e mbajnë në mëngjesin e 25 dhjetorit.
Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve.

Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetshmi Zot.
Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.
Mesha në mesnatë janë mbajtur edhe në kisha e tjera katolike, të shpërndara në 6 dioqezat e vendit.


