VIDEO/ Flamingot dhurojnë spektakël mbi Parkun Kombëtar Divjakë - Karavasta
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, një zonë e mbrojtur që shtrihet si një brez i gjelbër përgjatë bregdetit Adriatik, u “pushtua” nga fluturimi i flamingove, zogjtë me qafë të gjatë e të harkuar dhe këmbë të holla.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të flamingove që fluturojnë mes lagunës, duke e kthyer këtë park edhe në një destinacion të veçantë të ekoturizmit në Shqipëri.
Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.
Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra, madje me një këmbë edhe flenë.
Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2-3,6 kg. Nisur nga madhësia trupore dhe ngjyra, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.

