SUPERKUPA E ITALISË/ Napoli-Bolonja përballen në finale në Riad
Finalja e Superkupës Italiane luhet sonte në Riad mes Napolit dhe Bolonjës, fituesit e Scudettos kundër fituesve të Kupës së Italisë. Napoli i Antonio Contes është favorit, por vjen me disa mungesa të rëndësishme.
Kampionët në fuqi të Serie A, Napoli, dhe fituesit e Kupës së Italisë, Bologna, takohen këtë të hënë në mbrëmje në stadiumin universitar King Saud në Riad, ne finalen e Superkupës së Italisë.
Napoli i Antonio Contes, që duket edhe favorit në letër, është në kërkim të trofeut të tretë të Superkupës. Nga ana tjetër Bolonja e Vincenzo Italianos, që për herë të parë në historinë e saj luan një finale të tillë, ëndërron një tjetër faqe të artë pas triumfit në Kupën e Italisë.
Por Napoli vjen me disa mungesa të rëndësishme: Meret, De Bruyne, Anguissa, Gilmour dhe Beukema janë jashtë loje, ndërsa Olivera mbetet në dyshim. Megjithatë, Conte konfirmon skemën 3-4-3. Spinazzola pritet të veprojë në të majtë, Politano në të djathtë, me McTominay në mesfushë. Në sulm Elmas dhe Neres mbështesin repartin ofensiv, ndërsa në mbrojtje rikthehet Juan Jesus, në krah të Di Lorenzos dhe Rrahmanit.
Bolonja mbërrin në këtë finale me moral të lartë, pas eliminimit të Interit. Italianos i duhet të bëjë pa Bernardeschin, i dëmtuar në klavikulë, por kuqeblutë mbeten konkurrues. Cambiaghi, Orsolini dhe Odgaard do të veprojnë pas Castro-s në majën e sulmit. Në mesfushë, Moro sfidon Pobega-n për një vend titullari, ndërsa mbrojtja mbështetet te çifti Heggem–Lucumì.
Bologna është e pamposhtur në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit kundër Napolit me 2 fitore dhe 3 barazime.
