Vokshi: Reforma në drejtësi na ktheu në 1913-ën, një poshtërim që erdhi pasi elitat dështuan shtetin
Teksa shqiptarët po bëhen gati për të pritur vitin e ri, duket se viti 2025 është një vit që flet për sistemin e drejtësisë.
Kjo pasi ngjarjet që prodhoi drejtësia që nga arrestimi i bujshëm i 10 shkurtit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe që po mbyllet me arrestimet si grup i strukturuar kriminal nga drejtuesja e AKSHI-t e deri tek biznesmenë të lidhur me të, apo edhe me diskutimin për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, kanë qenë të shumta.
Por a është viti 2025 viti i Drejtësisë?
Kjo ishte tema e diskutimit këtë të enjte në studion e emisionit “Drejt” në “Ora Neës” të moderuar nga Luan Rama.
Në këndvështrimin e tij, analisti Indrit Vokshi u shpreh se me reformën në drejtësi Shqipëria u kthye pas në vitin 1913, kur ishte në një moment që shteti vetë nuk bënte dot drejtësi.
“Dhe në 2016-ën kur u miratua reforma në drejtësi ne u kthyem 100 vite mbrapa, pasi elitat politike dhe administrative e dështuan shtetin dhe ne erdhëm në një moment turpërues ku një shtet me 1 shekull shtetësi duhej të futej prokuroria amerikane për të formësuar gjykatat dhe prokuroritë.
Këtë e shikoj unë si problem dhe poshtërim të Shqipërisë në historinë e vet si shtet. Nuk ishte e nevojshme që elitat shqiptare do të duhej të kishin krijuar një gjendje normale të institucioneve të drejtësisë.
Pra, elitat shqiptare dështuan shtetin dhe erdhëm në këtë moment kur na u bë Shqipëria problem në aspektin e sigurisë si vend anëtar i NATO-s dhe erdhën e i morën 140 deputetë që të miratonin reformën në drejtësi, në një kohë kur kjo duhej të ishte vokacion i brendshëm”, u shpreh në analizën e tij Indrit Vokshi.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”

