Tafani: Me SPAK-un ka nisur drejtësia, pasi deri para tij ishte “hiç”. Por është kohë e shkurtër për të thënë se kemi drejtësi të pavarur

Teksa shqiptarët po bëhen gati për të pritur vitin e ri, duket se viti 2025 është një vit që flet për sistemin e drejtësisë.

Kjo pasi ngjarjet që prodhoi drejtësia që nga arrestimi i bujshëm i 10 shkurtit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe që po mbyllet me arrestimet si grup i strukturuar kriminal nga drejtuesja e AKSHI-t e deri tek biznesmenë të lidhur me të, apo edhe me diskutimin për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, kanë qenë të shumta.

Por a është viti 2025 viti i Drejtësisë?

Kjo ishte tema e diskutimit këtë të enjte në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama.

Në këndvështrimin e tij, Endri Tafani u shpreh se pavarësisht se këto institucione na duken se kanë shumë kohë që po punojnë, sërish është pak si kohë për të krijuar në historinë e një shteti me drejtësi të pavarur.

“Erdhëm nga hiçi sepse në të shkuarën nuk është dënuar asnjë politikan, që tregon se nuk ka kryer detyrën e tyre.

Pra, praktikisht drejtësia e mëparshme ishte një hiç. Kemi raste kur prokurorët janë shkarkuar sikur të ishin njerëz të thjeshtë, por kemi pasur raste të bujshme siç ishte rasti i Rrugës së Kombit, ku prokuroria e asaj kohe humbi afatet procedurale që është e paimagjinueshme; kemi pasur raste si ajo e Gërdecit ku askush nuk mbajti përgjegjësi; rasti i 21 janarit po kështu që u desh të rihapej.

Pra, praktikisht ne nuk kemi pasur drejtësi dhe problemi mbetet tek politika që ka ndërhyrë vazhdimisht”, u shpreh ndër të tjera Tafani.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”