Mes tymit, flakadanëve dhe përplasjeve me Gardën, mbyllet seanca e fundit e sesionit parlamentar

Kaosi kishte nisur ende pa filluar seanca e fundit e Kuvendit për këtë vit. Një pjesë e deputetëve të opozitës, mes të cilëve Flamur Noka, Klevis Balliu, Luan Baçi, Saimir Korreshi dhe Bledion Nallbati, kishin zënë karriget e ministrave.

Klevis Balliu qëndronte mbi tavolinë, ndërsa Sali Berisha dhe deputetë të tjerë hidhnin akuza ndaj kabinetit qeveritar. Kjo ishte pamja në sallë në momentin kur kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi nisjen zyrtare të seancës.

Belind Këlliçi ishte i pari që riktheu flakadanët në sallën e Kuvendit. Ndërkohë, ligjvënësit e opozitës lëshuan drejt Peleshit sende të ndryshme dhe e lagën atë me ujë.

Grupi i deputetëve demokratë në pjesën ku qëndrojnë ministrat u përfshi në përplasje me punonjësit e Gardës, ndërsa pjesa tjetër, e drejtuar nga Sali Berisha, vijonte akuzat.

Kryeparlamentari Peleshi përjashtoi deputetin Klevis Balliu dhe pas përshkallëzimit të tensioneve shpalli pushimin e parë prej 5 minutash. Por situata nuk u qetësua.

Flakadanët e ndezur në sallën e Kuvendit u shtuan, ashtu si edhe përplasjet mes ligjvënësve të opozitës dhe punonjësve të Gardës. Një veprim i Flamur Nokës ndaj kreut të Gardës e tensionoi edhe më tej situatën. Ky i fundit tentoi një përplasje direkte me ligjvënësin, por u pengua nga kolegët.

Flamur Noka u përjashtua nga seanca nga kryeparlamentari. Mes përplasjeve dhe kaosit, Taulant Balla aktivizoi atë që u quajt “skenari rezervë”.

Mes tymit, kaosit dhe akuzave të opozitës, përfaqësuesit e mazhorancës votuan të gjitha projektligjet e parashikuara në rendin e ditës. Seanca përfundoi ashtu siç nisi.

Jashtë Kuvendit, kryedemokrati Sali Berisha dha një paralajmërim, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj me akuza dhe ironi.

E gjithë ngjarja zgjati rreth një orë, pas së cilës ligjvënësit nisën pushimet e dimrit.