Beqiri: Nga pikëpamja e goditjeve se deri ku ka arritur GJKKO dhe SPAK, janë në një stad që s’i kemi pasur kurrë! Përplasjet mes institucioneve, pozitive për vetë sistemet
Teksa shqiptarët po bëhen gati për të pritur vitin e ri, duket se viti 2025 është një vit që flet për sistemin e drejtësisë.
Kjo pasi ngjarjet që prodhoi drejtësia që nga arrestimi i bujshëm i 10 shkurtit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe që po mbyllet me arrestimet si grup i strukturuar kriminal nga drejtuesja e AKSHI-t e deri tek biznesmenë të lidhur me të, apo edhe me diskutimin për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, kanë qenë të shumta.
Por a është viti 2025 viti i Drejtësisë?
Kjo ishte tema e diskutimit këtë të enjte në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama.
Studiuesi Evarist Beqiri u shpreh se deri para pak muajsh ka disa zhvillime që ishin të paimagjinueshme.
“Ndoshta tani na duken normale dhe jemi futur në diskutime teknike juridike, por nga pikëpamja e goditjeve dhe zhvillimeve se deri ku ka arritur drejtësia e re, sidomos puna e Gjykatës së Posaçme dhe e SPAK-ut, mendoj se janë në një stad që në historinë e Shqipërisë nuk i kemi pasur asnjëherë për hir të së vërtetës.
Sa i takon zhvillimeve, drejtësia ka akoma rrugëtim për të bërë dhe nuk është akoma aty ku ne shpresojmë që duhet të jetë, sepse të gjithë ne do të përballemi me drejtësinë herët apo vonë.
Por nga ana tjetër mendoj se këto zhvillime qoftë edhe përplasjet mes institucioneve janë pozitive. Pasi mendoj se përplasjet e shëndetshme sjellin zhvillim”, u shpreh ndër të tjera Beqiri.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”

