Kujt i intereson anashkalimi i skandalit të AKSHI-t përmes mandatit të Belinda Ballukut?
Para dy ditësh Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për shkelje të barazisë në tendera.
Veç skandalit për abuzim në tendera më shqetësues është fakti se sipas SPAK dyshohet se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermal Beqiraj dhe disa anëtarë të policisë Erion Ismaili kanë rrëmbyer biznesmenin Gerond Meçe, i cili më pas është tërhequr nga pjesëmarrja në tenderat e AKSHI-t.
Ky episod i rëndë kriminal, i cilësuar si pengmarrje, ku përmendet emri i Gerond Meçes lidhet me kompaninë Advanced Business Solutions, e cila rezulton përfituesja kryesore e kontratave të AKSHI-t.
Mirëpo ajo që bie në sy është fakti se media e shkruar dhe vizive në vend, pavarësisht këtij skandali, vijon të trajtojnë çështje të tjera.
Një skandal si ai i Ergys Agasit, që në një rast normal do duhej të ishte kryelajm në media, anashkalohet!
Kështu në momentin kur këto zhvillime po dilnin në publik dhe vëmendja ishte e përqendruar tek një nga skandalet më të rënda të prokurimeve publike, vetëm pak orë më pas në Kuvend u depozitua kërkesa për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ky sinkronizim ka ngjallur dyshime në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ku jo pak komente kanë ngritur pikëpyetje mbi nxitimin për të dërguar kërkesën për Ballukun, gjë që do të largonte vëmendjen nga aksioni ndaj AKSHI-t.
Sikur të mos mjaftonte kjo, pjesë e kësaj skeme duket u bë edhe opozita, ku daljet e z. Berisha treguan qartë se nuk kishte interes të flitej për AKSHI-n.
Kujtojmë po ashtu se dërgimi i kërkesës së SPAK në Kuvend për heqjen e mandatit të deputetit për znj. Balluku vjen pa u pritur vendimi final i Gjykatës Kushtetuese.
Mënyra dhe koha e ndërmarrjes së hapave proceduralë, duhet të shërbejnë për të forcuar besimin e publikut te drejtësia përmes shmangies së ngarkesave që mund të perceptohen në forma të ndryshme nga qytetarët. / Lajme Troç

