Xhixho: Si mund të flasim për Shqipëri Europiane, kur Tirana sillet më keq se Kremlini?
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho akuzon mazhorancën për censurimin e zërit të opozitës.
"Në Rusi, Putin nuk ia hoqi Navalnyt lirinë e shprehjes. Denoncimet e tij për kushtet nga burgu në Arktik dhe kritikat ndaj regjimit autoritar të Putinit arritën pa pengesë te miliona rusë.
Në Shqipëri ndodh e kundërta me ish-presidentin e vendit, z.Ilir Meta. I izoluar në ekstrem, atij i është mohuar tërësisht e drejta për të komunikuar me mediat. Çdo përpjekje për të komunikuar me gazetarët është ndëshkuar, çdo fjalë e tij është censuruar me urdhër të Edi Ramës.
Sepse ndryshe nga regjimi i Putinit, ai i Edi Ramës të heq të drejtën e fjalës, në emër të një pushteti që nuk pranon kritika.
A mund të flasim për Shqipëri Europiane, kur Tirana sillet më keq se Kremlini? As në 2030, as kurrë!
Raporti i Avokatit të Popullit e thotë qartë se komunikimi me mediat është në bazë të parimit për të drejtën e shprehjes dhe transparencën.
Respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është opsion – është detyrim ligjor.
Zbatimi i 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit është gjithashtu detyrim. Shqipëria europiane që qytetarët meritojnë duhet të ketë në themel demokracinë dhe shtetin e së drejtës", thotë Xhixho.

