Tensione për zgjedhjen e avokatit të Popullit/ Këlliçi: Kandidaturat tona janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit është përfshirë nga tensione të larta politike, teksa Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën socialiste për një skenar të paracaktuar dhe ka ndërmarrë një hap drastik duke tërhequr mbështetjen për të gjithë kandidatët.

Nga foltorja e Kuvendit, deputet i opozitës Belind Këlliçi deklaroi se PD ka tërhequr firmat e saj për të 26 kandidaturat në garë, duke e cilësuar procesin një "farsë". Sipas tij, mazhoranca po zbaton një plan për të zgjedhur kandidatin e saj të preferuar, Endri Shabani, të cilin e quajti "lepuri i Surelit" i këtij procesi.

"E kemi bërë të ditur me shkrim qëndrimin tonë mbi këtë proces. Jeni njoftuar për tërheqjen e të gjitha firmave për të gjitha kandidaturat që kanë paraqitur për të garuar për pozicionin e avokatit të popullit. Është edhe lepuri i Surrelit, që po çon deri në fund skenarin e kësaj maxhorance të paralajmëruar javë më parë se Avokatin e Popullit do e merrte PS, e kanë thënë socialistët. Qëndrimi ynë është i prerë, asnjë nga 26 kandidaturat nuk i ka firmat e deputetëve të PD. PD nuk merr pjesën ë këtë farsë sa kohë nuk tërhiqni emrin e Endri Shabanit. Kandidaturat tona janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni," tha Këlliçi.