Begaj: “Urdhri i Skënderbeut”, rivendosje standardi për të dalluar kontributin autentik
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në mbrëmjen solemne të organizuar në Tiranë për të shënuar 100-vjetorin e “Urdhrit të Skënderbeut”.
Në fjalën e tij, Begaj theksoi se kjo është ceremonia e parë e dhënies së urdhërave kryesore që akordon shteti shqiptar pas miratimit të ligjit të ri për urdhrat dhe medaljet në Republikën e Shqipërisë.
Presidenti nënvizoi rëndësinë historike të Urdhrit të Skënderbeut, duke e cilësuar si një dekoratë që ka nderuar personalitete që mishërojnë virtytet më të larta të kombit dhe idealet e heroit tonë kombëtar.
“Urdhri i Skënderbeut u bë një urë lidhëse mes shqiptarëve të shquar dhe shenjë për personalitetet e huaja.
Ky përvjetor nuk është vetëm rikujtim i së shkuarës, por edhe rikujtesë e një standardi që duhet mbajtur, një standard për të dalluar nga medaljet e zakonshme”, u shpreh Presidenti Begaj.
Ai theksoi se është një rivendosje standardi për të dalluar kontributin autentik që lidh nderimin me meritën, dekoratën me vlerën.
Ceremonia për 100-vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut ka rikthyer vëmendjen mbi rëndësinë e dekoratave kombëtare si simbol i virtyteve dhe kontributit të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
