TJETËR SAMIT/ Brukseli mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor më 17 dhjetor! Plani 6 mld eurosh, fokus i diskutimeve

Brukseli pret samitin e radhës BE–Ballkani Perëndimor, më 17 dhjetor në një moment kyç për integrimin e rajonit. Shqipëria dhe Mali i Zi shkojnë me objektiva të qarta, ndërsa Plani i Rritjes pritet të dominojë diskutimet. Kosova mbetet jashtë përfitimeve për shkak të krizës së brendshme politike.

Liderët e Ballkanit Perëndimor, do të takohen në një tjetër Samit, në qendër të të cilit do të jetë ecuria drejt integrimit Europian.

Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel në 17 dhjetor, në prag të Mbledhjes së Këshillit të fundit Europian, duke shënuar samitin e katërt radhazi të nivelit të lartë.

Shqipëria e Mali i Zi, edhe në këtë samit shkojnë si dy prej shteteve ballkanike, që i kanë afatet të përcaktuara, përkatësisht për vendin tone 2027 për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues, e deri në vitin 2029-2030, integrimin e plotë, e një hap më pranë Mali i Zi, që shkon me besimin që deri në fund të viti 2026, të ketë mbyllur të gjithë kapitujt negociues, e integrim deri në 2028.

Një takim i këtij niveli u mbajt më 21 nëntor në Tiranë, ku morën pjesë kryeministrat e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe eurokomisionerja për Zgjerimin Marta Kos.

Takimi i 17 dhjetorit pritet të përqëndrohet në gjetjet më të fundit të paketës së zgjerimit 2025, teksa vend kryesor do të zërë edhe në këtë takim Plani I Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliard eurosh.

Ky plan synon afrimin e rajonit me BE-në, ekonomikisht, por edhe politikisht, me reformat që duhen ndërmarrë, të mbështetura nga BE, për përafrimin e legjislacioneve përkatëse. Kosova vijon të mbetet në vend-numëro, për shkak të krizëz politik, duke mos mundur të përfitojë nga këto fonde të parashikuara edhe për të.