KAMPUSI I RI USHTARAK GATI NË SHKURT! Investim modern, Vengu: Akademia me standardet e NATO-s

Kampusi i ri i Akademisë Ushtarake pritet të hapet në shkurt, duke sjellë standarde të reja infrastrukturore dhe akademike për FA-të. Ministri Vengu konfirmoi interes rekord të të rinjve, ndërsa ministrja Kumbaro e konsideroi projektin pjesë të investimeve strategjike në arsim. Një kampus i konceptuar për të përgatitur profesionistët e sigurisë së së ardhmes.

Forcat e armatosura do të kenë një kampus të ri për akademinë Ushtarake. Një investim modern prej 7 600 m², i konceptuar për të ngritur në një nivel të ri formimin akademik dhe profesional të kuadrove ushtarake shqiptare.

Teksa kampusi i ri po merr formë, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, inspektuan punimet.

Ministri i Mbrojtjes,  nënvizoi rolin e kampusit të ri si bazë moderne për përgatitjen e kuadrove që do të shërbejnë si në misionet kombëtare, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Ai theksoi se interesi i të rinjve për t’u bërë pjesë e FA-ve është rritur ndjeshëm.

Vengu: “Jemi në kushtet kur 80 për qind e punës ka mbaruar dhe në një situatë ku kemi një numër shumë të madh regjistrimesh. Këtë vit kemi pasur një numër rekord: 1630 aplikime për vetëm 80 vende”

Ministri Vengu konfirmoi se kampusi do të jetë gati në shkurt, duke hapur rrugën për programe bachelor, master dhe specializime të reja, përfshirë masterin në siguri kibernetike, një profil në rritje të vazhdueshme.

Vengu: “Përveç një akademie ushtarake të mirëfilltë këtu përgatiten edhe profesionistë të inxhinierisë apo ekonomisë që i shërbejnë kryqëzimit të jetës civile me aktivitetin e forcave të armatosura. Do të kemi një ofertë akademike e cila përveç kurseve akademike, do të ketë edhe kurse të specialiteteve, siç është masteri në sigurinë kibernetike që po bëhet gjithnjë e më atraktiv, por për të mbështetur edhe sektorë të tjerë shtetërorë që kanë nevojë për kapacitete”.

Gjatë vizitës, ministrja Kumbaro e cilësoi projektin si pjesë të investimeve strategjike në arsim, pavarësisht se nuk financohet drejtpërdrejt nga buxheti i MAS.

Ajo theksoi se arsimi ushtarak është sot temë qendrore në tryezat ndërkombëtare të sigurisë dhe se kërkesa e lartë për programe të formimit ushtarak kërkon zgjerim të ofertës akademike.

Kompleksi bashkëkohor përfshin klasa të teknologjisë së lartë, auditorë, laboratorë, poligon stërvitor, pishinë, ambiente sportive dhe hapësira sipas standardeve të NATO-s, duke e shndërruar kampusin në një qendër të plotë ekselence.