Dita e Rinisë/ Spiropali: Të rinjtë shqiptarë, forca që po afron Shqipërinë me Bashkimin Europian
Në përkujtim të 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka theksuar rolin thelbësor të të rinjve shqiptarë në zhvillimin dhe integrimin e vendit në familjen evropiane.
Në mesazhin e saj, Spiropali ka nënvizuar se pasioni dhe përkushtimi i vajzave e djemve shqiptarë janë faktor kyç për transformimin e Shqipërisë, duke e afruar më tej drejt realizimit të aspiratës historike për t’u bërë pjesë e plotë e Bashkimit Europian.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” shkruan ministrja, duke kujtuar historinë e vendit dhe sfidat e saj gjatë rrugës për të qëndruar në zemër të kontinentit europian.
Spiropali nënvizon gjithashtu se të rinjtë e Shqipërisë sot duhet të jenë më të përfshirë se kurrë, duke kontribuar në ndërtimin e një vendi demokratik, meritokratik, të hapur, konkurrues dhe inovativ, ku të gjithë kanë të njëjtat mundësi dhe drejtësi.
“Sot ecim më shpejt dhe më të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE, dhe roli i të rinjve është vendimtar në këtë rrugëtim,” përfundon ministrja në mesazhin e saj.
