PD kujton "8 Dhjetorin", Xhaferri: Jemi një brez që lindëm në demokraci por sot jetojmë në diktaturë

Kreu i Forumit Rinor të PD-së, Besart Xhaferi, mbajti fjalën e tij gjatë një aktiviteti përkujtimor për Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990. Ai deklaroi se Shqipëria është zhytur nga demokracia në një “diktaturë moderne” dhe “narko-shtet”, duke identifikuar kryeministrin Edi Rama si “armikun e vetëm” largimi i të cilit është urgjent.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Xhaferri theksoi kontrastin e hidhur të brezit të tij. “Jemi një brez që lindëm në demokraci, po për fat të keq jetojmë sot në diktaturë,” deklaroi ai. Sipas tij, situata aktuale është rezultat i një rrëshkitjeje që e ka transformuar vendin në një vend që “vret ëndrrat e të rinjve” dhe që ka parë largimin e mbi 1.1 milionë shqiptarëve në dekadën e fundit.

Xhaferri u bëri apel rinisë shqiptare për t’u zgjuar dhe për të ndjekur shembullin e prindërve të tyre që nisën lëvizjen për demokraci. “Është koha të zgjohemi dhe të bëjmë po të njëjtën gjë që bënë prindërit tanë,” tha ai, duke e cilësuar këtë si një “borxh” ndaj vetes, brezave të ardhshëm dhe brezit që solli ndryshimin.

Kreu i FRPD bëri thirrje për bashkim dhe solidaritet kundër atij që e quajti “armiku i vetëm”. “Ai armik është Edi Rama. Është njeriu që po na largon nga ky vend, është njeriu që na ka vjedhur të ardhmen tonë,” pohoi folësi. Ai kërkoi që dënimi i tij të bëhet përmes protestave masive, me objektiv “largimin e tij përfundimtar”.

Duke bërë një paralele historike, ai kujtoi se diktaturat gjithmonë duken të pathyeshme derisa rrëzohen, duke iu referuar lëvizjes së Dhjetorit ‘90. Sipas tij, ashtu si atëherë, edhe sot duhet “qëndresë, vendosmëri dhe një betim” për të mos lejuar që situata të vazhdojë.

Fjala e Xhaferrit

Mirëdita zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja të përjetshëm të grupimit Dhjetorit '90, atyre që ne i falemi dhe jemi mirënjohës për vitet e demokracisë që arritëm të jetojmë, sepse jemi një brez që lindëm në demokraci, po për fat të keq jetojmë sot në diktaturë. Siç e kanë thënë dhe shumë studiues, politologë në botë, demokracia mund të duhet breza të tërë për t'u fituar, por mjafton dhe vetëm një brez për t'u humbur.

Dhe kjo duhet të na bëjë patjetër të mendohemi se si na rrëshkiti situata në këtë pikë, ku Shqipëria sot, përveç se një diktature moderne të instaluar, është dhe një narko-shtet, është dhe një vend që vret ëndrrat e të rinjve, por është dhe një vend që ka larguar mbi 1.1 milionë shqiptarë në këto 10 vite. I nderuar Kiri, djali i madh i tribunit të demokracisë, Azem Hajdarit.

I nderuar Azem, ngjallja e tij dhe kënaqësia jonë më e madhe që të kemi mes nesh dhe rikujtojmë pikërisht veprat e babait tënd. I nderuar zoti Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, bashkudhëtari i Azem Hajdarit dhe mbi të gjitha, ai që arriti ta sillte demokracinë dhe ta instalonte atë demokraci në ato vite që ne jetuam. Nderuar zoti Arjet Ramçaj, kryetar i grupimit Dhjetor '90 dhe pikërisht organizatës partnere më të rëndësishme të Partisë Demokratike, që është identiteti real i kësaj partie.

Unë sot patjetër i bëj thirrje rinisë shqiptare që megjithëse sot jetojmë në diktaturë, është koha të zgjohemi dhe të bëjmë po të njëjtën gjë që bënë prindërit tanë 35 vite më parë. Ja kemi borxh në radhë të parë vetes tonë, ja kemi borxh brezave që do vijnë, por ja kemi borxh dhe prindërve tanë që me aq sa mundën, bënë impaktin që duhet të kishte në histori dhe do mbahen mend në histori si brezi i artë i këtij kombi. Nuk duhet të largohemi nga ky vend, nuk duhet të themi ç'më duhet mua dhe nuk duhet ta heqim vëmendjen nga problemet e përditshme të shoqërisë tonë.

Nuk duhet vetëm të fokusohemi në padrejtësitë që na bëhet neve personalisht, duke vendosur edhe se si do protestojmë duke u larguar nga ky vend. Por duhet të solidarizohemi, të mblidhemi, të unifikohemi dhe të shpallim vetëm një armik. Ai armik është Edi Rama. Është njeriu që po na largon nga ky vend, është njeriu që na ka vjedhur të ardhmen tonë dhe është ai njeri që ne duhet ta dënojmë me protesta dhe me largimin e tij përfundimtar. Gjithmonë diktaturat duket sikur s'do bien kurrë. Jam i bindur që dhe në 8 Dhjetor kur ka filluar ajo protestë në këtë shesh, shumë pak veta e kanë menduar me optimizëm se kjo diktaturë do rrëzohet. Por diktaturat deri në 10 minuta para se të bien, duken sikur s'do bien.

Në 10 minutëshin e fundit çdo gjë shkrumohet dhe çdo gjë ikën dhe duket sa kollaj paska qenë. Prandaj duhet qëndresë, vendosmëri dhe një betim ndaj njëri-tjetrit që ne nuk do e lejojmë këtë gjë të vazhdojë kështu siç ka vazhduar. Boll më, nga këtej e tutje duhet protestë, duhet grevë, duhet revoltë dhe duhet largimi urgjent i Edi Ramës. Ju falënderoj nga zemra dhe gëzuar Ditën e 8 Dhjetorit e kujtojmë.