RMV, INTENSIFIKOHEN PËRPLASJET POLITIKE/ LSDM dhe VMRO shkëmbejnë akuza mes tensioneve të reja
Në Maqedoninë e Veriut është ashpërsuar debati politik mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, pas akuzave për emigracionin, korrupsionin dhe bisedimet me Britaninë. Ndërkohë, rizgjedhja e Hristijan Mickovskit për mandatin e tretë në krye të VMRO-së ka shtuar polemikat mes dy partive.
Në Maqedoninë e Veriut janë ashpërsuar përplasjet politike, teksa LSDM dhe VMRO-DPMNE shkëmbejnë akuza të reja në prag të zhvillimeve të rëndësishme politike dhe ekonomike.
Debatet lidhen me emigracionin, korrupsionin dhe politikat qeveritare, në një periudhë kur vendi po përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme.
LSDM ka akuzuar qeverinë e Hristijan Mickoskit se po “i dëbon të rinjtë nga vendi”, ndërkohë që, sipas tyre, po zhvillon negociata për pranimin e emigrantëve nga jashtë.
Socialdemokratët thonë se krimi, korrupsioni dhe rritja e varfërisë po e izoluan gjithnjë e më shumë vendin. Ata theksojnë se mediat prestigjioze britanike kanë raportuar për bisedime të mundshme për strehimin e emigrantëve në Maqedoni, diçka që, sipas tyre, qeveria kërkon ta fshehë.
VMRO-DPMNE i është kundërpërgjigjur menjëherë LSDM-së duke i cilësuar deklaratat si “skandal të rremë” dhe “dezinformata klasike”. Nga partia e Mickoskit thonë se opozita nuk ka prova të asnjë shkeljeje dhe se po shpik akuza për të mbuluar, siç thonë ata, gabimet dhe skandalet e veta. VMRO thekson se çdo pretendim mbi korrupsion duhet të mbështetet me fakte, jo me insinuata politike.
Këto përplasje vijnë pikërisht në kohën kur Hristijan Mickoski është rizgjedhur për herë të tretë kryetar i VMRO-DPMNE-së, gjatë kongresit të partisë në Kavadarci.
Mickoski, tashmë edhe kryeministër i vendit, deklaroi se sfida kryesore mbetet procesi i bllokuar i integrimit europian, duke akuzuar Bashkimin Europian se nuk po tregon vullnet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Ai u zotua për një qasje më të ashpër dhe transparente në raport me BE-në.
Në mes të tensioneve politike, Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka bërë thirrje për unitet dhe rikthim të vlerave të përbashkëta.
Në urimin e saj për festën e Shën Klementit të Ohrit, ajo theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit, drejtësisë sociale dhe luftës kundër korrupsionit. Presidentja tha se vendi duhet të ndërtojë institucione të forta dhe të ofrojë një mjedis dinjitoz për të gjithë qytetarët.
Debati mbetet i hapur, ndërsa skena politike maqedonase po hyn në një periudhë të re tensioni dhe vendimmarrjesh të rëndësishme. Përplasjet mes palëve pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.

