PD kujton 8 "Dhjetorin"/ Ish-studenti i '90-s, Ramçaj: Të mos i nënshtrohemi sot autokracisë së narko-shtetit
Në një fjalim të mbajtur gjatë një aktiviteti përkujtimor për Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, Ajet Ramçaj një prej protagonistëve të asaj kohe ka kujtuar ditët historike të përmbysjes së diktaturës, duke tërhequr një paralele të fortë me situatën aktuale në vend.
Duke e cilësuar 8 Dhjetorin si “një nga ditët më të mëdha e më të ndritura të historisë së re”, folësi rikujtoi se si zëri i studentëve në Tiranë “i dha fund heshtjes së gjatë ogurzezë 45-vjeçare dhe hapi rrugën e demokracisë në Shqipëri”. Ai përshkroi brezin e tij si një brez i guximshëm që u ngrit i revoltuar për liri, duke ardhur nga prindër të rritur e të burgosur në diktaturë, të cilët nuk kishin “as pasuri e as pushtet”.
“Ne ishim bijtë e etërve që nuk patën mundësinë as të na ushqenin, as të na veshmbathnin, as të na shkollonin,” u shpreh ai, duke theksuar se zëri i tyre u bë ulërima e një shoqërie të varfëruar e të skllavëruar që priste dritë në fund të tunelit.
Folësi theksoi se përkujtimi nuk shërben vetëm për të kujtuar, por edhe “për mos me harru” dhe për të riforcuar idealet e lirisë. Duke bërë thirrje për përgjegjësi, ai lëshoi një mesazh të fortë për të tashmen. “Ne i detyrohemi vetit, brezit të ri dhe vendit tonë që mos t'i nënshtrohemi padrejtësisë, arrogancës dhe autokracisë së narko-shtetit”, deklaroi ai, duke shtuar se ashtu si atëherë, edhe sot duhet të rikthehet shpresa, dinjiteti dhe liria për çdo shqiptar.
Në mbyllje të fjalës së tij, ai bëri thirrje për nderim ndaj figurës legjendare të Azem Hajdarit dhe dëshmorëve të tjerë të demokracisë, duke i cilësuar ata si “zëri që jehon në shekuj i të vërtetës, guximit dhe vetëmohimit”.
Ajet Ramçaj: Të nderuar të pranishëm, i nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar një nga ditët më të mëdha e më të ndritura të historisë së re, 8 dhjetori i 90-ës. Kjo është dita kur zëri i studentëve, në qytezën e tyre, këtu ku jemi në Tiranë, i dha fund heshtjes së gjatë ogurzezë 45 vjeçare dhe hapi rrugën e demokracisë në Shqipëri.
Ishte nata kur frika filloi të vritej. Ishte dita kur ne, një brez i guximshëm studentësh, u ngritëm të revoltuar për liri dhe demokraci. Ne vinim nga prindër të lindur e rritur e burrnuar në diktaturë, të cilët nuk kishin as pasuri e as pushtet. Ne ishim bijtë e etërve që nuk patën mundësinë as të na ushqenin, as të na veshmbathnin, as të na shkollonin e as të na arsimonin, as si bashkëmoshatarët tanë fqinj në Ballkan të lindjes komuniste.
Ne u bëmë zëri i parë i fortë i një kombi të lodhur, varfëruar e skllavëruar nga diktatura. Ne u bëmë ulërima e një shoqërie që priste dritë në fund të tunelit. Sot 35 vite më pas, ne nuk jena këtu thjesht për të kujtuar. Ne jena këtu për mos me harruar, por edhe me riforcuar besimin tonë në idealet për të cilat u ngritëm atëherë. 8 dhjetori nuk është vetëm një datë, por është edhe një thirrje për përgjegjësi e veprim për çdo shqiptar.
Ne i detyrohemi vedit, brezit të ri dhe vendit tonë që mos t'i nënshtrohemi padrejtësisë, arrogancës dhe autokracisë së narko-shtetit. Ashtu si atëherë dhe sot duhet të jemi në lartësinë e misionit historik. Të rikthejmë shpresën, dinjitetin dhe lirinë për çdo shqiptar. Le të përkulemi me nderim e respekt para të gjithë atyre që u ngritën në 8 dhjetor. Le të nderojmë figurën legjendare të Azem Hajdarit dhe dëshmorëve të tjerë demokratikë, të cilët do të mbeten zëri që jehon në shekuj i të vërtetës, guximit dhe vetëmohimit e lirisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë...

