JAPONIA NËN KRIZËN E DEMENCËS! Rritet numri i të moshuarve të prekur nga sëmundja! Përdorimi i teknologjisë, ndihmon por nuk mjafton

Japonia po përballet me një krizë të rëndë të demencës, me mijëra të moshuar që humbasin çdo vit dhe me sfida të mëdha për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në kujdesin shëndetësor. Ndërsa teknologjia, përfshirë GPS-in dhe robotët ndihmës, po ofron zgjidhje të reja, ekspertët theksojnë se kujdesi dhe lidhja njerëzore mbeten të pazëvendësueshme.

Japonia po përballet me një krizë të thellë të demencës, ndërsa numri i të moshuarve që zhduken për shkak të sëmundjes që prek kujtesën rritet çdo vit.

Vetëm vitin e kaluar, më shumë se 18,000 persona mbi 65 vjeç që vuajnë nga demenca u shpallën të zhdukur, dhe pothuajse 500 prej tyre u gjetën të vdekur. Policia thotë se rastet janë dyfishuar që nga viti 2012.

Me gati 30% të popullsisë të përbërë nga të moshuar, përqindja e dytë më e lartë në botë pas Monakos, sfida po rëndohet edhe më shumë nga mungesa e fuqisë punëtore në mjekësi dhe kufizimet e rrepta për punonjësit e huaj të kujdesit.

Në të gjithë vendin, familjet po përdorin pajisje të bazuara në GPS për të gjetur shpejt personat që humbasin.

Disa rajone ofrojnë etiketa GPS që sinjalizojnë menjëherë autoritetet kur një person del jashtë zonës së caktuar.

Ndërsa në disa qytete, punonjësit e dyqaneve marrin njoftime në kohë reale, duke krijuar një rrjet sigurie komunitare.

Ndërkohë, në Universitetin Ëaseda në Tokio, studiuesit po krijojnë robpërpiqen ti japin zgjidhje problemit përmes robotëve.

Disa prej tyre tashmë përdoren në qendra për të moshuarit për të luajtur muzikë, për të ndihmuar me ushtrime të shtrirjes dhe madje për të monitoruar gjumin përmes sensorëve të vendosur nën dyshek.

Por ekspertët thonë se robotët me aftësi të avancuara janë të nevojshëm dhe do të kërkojnë të paktën pesë vite të tjera zhvillimi përpara se të ndërveprojnë plotësisht dhe në mënyrë të sigurt me pacientët.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se teknologjia mund të ndihmojë, por nuk mund të zëvendësojë kujdesin njerëzor. Lidhja njerëzore mbetet thelbësore për mirëqenien e personave me demencë.

Në Tokio funksionon “Restoranti i Porosive të Gabuara”, ku kamerierët janë persona me demencë. Iniciativa u krijua nga Akiko Kanna, e frymëzuar nga përvoja e babait të saj. Qëllimi është t’u jepet mundësi njerëzve me demencë të ndihen të dobishëm dhe të qëndrojnë të angazhuar.