BE shpall listën e vendeve të sigurta, Kosova hyn zyrtarisht në listë
Këshilli Evropian ka shpallur Kosovën dhe 7 vende të tjera si “të sigurta” për azil. Sipas Këshillit këto ligje të reja të BE-së për emigracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së.
Rregullorja e re që rishikon konceptin e vendit të tretë të sigurt do të zgjerojë rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të refuzohet si e papranueshme.
Këshilli gjithashtu përfundoi një pjesë të rëndësishme të Paktit të Emigracionit dhe Azilit të vitit 2024, duke rënë dakord për listën e parë të përbashkët të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do t’u lejojë shteteve anëtare të merren me kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare në një mënyrë të përshpejtuar.
Këshilli ra dakord që përveç Kosovës vende të sigurta origjine në nivel BE-je janë Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.
Ministri danez për Emigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund theksoi se Danimarka dhe shumica e shteteve anëtare të BE-së kanë avokuar për përpunimin e azilit në vende të treta të sigurta me qëllim heqjen e stimujve për të ndërmarrë udhëtime të rrezikshme drejt BE-së.
“Jam i lumtur që ne kemi rënë dakord për një qasje të përgjithshme për rishikimin e konceptit të ‘vendit të tretë të sigurt’, i cili u lejon shteteve anëtare të bëjnë marrëveshje me vende të treta të sigurta për përpunimin e azilit jashtë Evropës,” tha ai.
