Trashëgimia që bashkon trojet shqiptare: Tropoja përkujton përfshirjen në UNESCO

Tropoja festoi me një koncert madhështor 1-vjetorin e pranimit të Kcimit të Tropojës në Listën e Trashëgimisë Botërore Jomateriale të UNESCO-s. Aktiviteti u organizua nga Shoqata “Kcimi i Tropojës” dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, duke sjellë një ngjarje kulturore me rëndësi kombëtare dhe ndërshqiptare.

“Kcimi i Tropojës”, tashmë thesar i kulturës botërore, u përfshi në UNESCO në vitin 2024 gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar në Paraguaj. 

Ky sukses u bë i mundur falë punës njëvjeçare të komunitetit artistik tropojan, të udhëhequr nga Mjeshtri i Madh Skënder Haklaj dhe Mjeshtrja e Madhe Bukurie Demiraj, të cilët përgatitën dhe dorëzuan dosjen e kandidimit, duke siguruar një vlerësim të merituar për pasionin dhe angazhimin e tyre.

Në këtë koncert të veçantë mori pjesë prezantuesja dhe filantropistja e njohur Albana Osmanaj, një figurë publike shumë e dashur për shqiptarët. Ajo shprehu mirënjohje për organizatorët dhe theksoi krenarinë për përkatësinë tropojane.

Koncertit iu bashkua edhe grupi artistik i Komunës së Deçanit, me mbështetjen e kryetarit të saj, Bashkim Ramosaj, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë edhe në Deçan e Gjakovë, duke treguar se Kcimi i Tropojës është pasuri e përbashkët e të gjitha trevave shqiptare.

Mbrëmja nisi me shpalljen historike të Kcimit në UNESCO dhe interpretimin me lahutë të Ram Dollapaj, që shoqëroi Himnin e Kcimit të Tropojës. 

Programi artistik vazhdoi me:

Kcim Vendi, solist Haxhi Hoxha, në shoqërim me tupan të Hysni Nakaj.

Vallen “Sup më sup si malet”, me koreografi të vitit 1981, e ripunuar pas 44 vitesh.

Këngën “Sa bukur muaji i majit”, interpretuar nga Sherif Margjekaj dhe Shaban Zenelaj.

Një duet vallëzimi djalë–vajzë, i shoqëruar me tupan nga Leart Ndreaj.

Vallen “Tropoja feston”, interpretuar nga grupi koreografik i Tropojës me koreografe Mjeshtren e Madhe Bukurie Demiraj.

Këngën “Jam Tropojë” me zë të Mirjeta Celaj, tekst dhe muzikë të Fran Vukaj.

Vallen e grupit artistik të Deçanit, me koreografi të Genc Tetaj.

Vallen “Motivet e çikave të Tropojës” nga solistet e Ansamblit “Folk Trevar” dhe grupi koreografik i Tropojës.

Vallen e djemve rreth tupanit.

Këngën kushtuar Zhuj Selmanit, interpretuar nga Marlen Qeli dhe Sherif Margjekaj.

Kolazhin e fëmijëve të Ansamblit “Folk Trevar”, me motive nga të gjitha trevat shqiptare.

Finalja u mbyll me interpretimin e të gjithë solistëve nga të gjitha grupet pjesëmarrëse, duke krijuar një atmosferë gëzimi nën tingujt e këngës “1000 vjet valle Tropoje”.

Në përmbyllje, organizatorët falënderuan publikun dhe theksuan se ruajtja e Kcimit të Tropojës është detyrim kulturor dhe kombëtar. Shoqata “Kcimi i Tropojës në UNESCO” propozoi që 4 dhjetori të shpallet ditë përkujtimi dhe aktiviteti, si dhe që salla e kërcimit të mbajë emrin “Kcimi në UNESCO – Skënder Haklaj”.

Ky aktivitet u shtri simbolikisht deri në Deçan dhe Gjakovë, duke rikthyer edhe një herë lidhjen e fortë të traditës dhe kulturës në të gjitha trevat shqiptare.