FOTO/ Ekspozitë dokumentare në 113-vjetorin e themelimit të Postës Shqiptare
Me rastin e 113-vjetorit të themelimit, Posta Shqiptare në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, organizuan aktivitetin e posaçëm titulluar “Historia e Postës Shqiptare: Ekspozitë Dokumentare”.
Ky event organizohet në kuadër të përvjetorit të krijimit të administratës së parë postare shqiptare dhe sjell një ekspozitë të kuruar me kujdes mbi zhvillimin historik të Postës Shqiptare.
5 dhjetori përbën një prej momenteve më themelore në historikun e shërbimit postar kombëtar. Aktiviteti i organizuar në këtë përvjetor, synon të promovojë trashëgiminë postare shqiptare, të evidentojë rolin e Postës Shqiptare në ndërtimin administrativ të vendit dhe të sjellë në vëmendjen e publikut materiale të rralla arkivore e filatelike, të cilat përbëjnë dëshmi të rëndësishme të identitetit kombëtar.

Në çeljen e kësaj ekspozite, e cila do të jetë në dispozicion të publikut deri më 12 dhjetor, ishte i pranishëm administratori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj si dhe deputetë të Kuvendit.
Ekspozita dokumentare është përgatitur nga Posta Shqiptare dhe ka një guidë informuese mbi materialet e saj.
Gjatë aktivitetit u shfaq edhe dokumentari i Postës Shqiptare “105 vjet Pulla Shqiptare”. Ky dokumentar historik paraqet zhvillimin e sistemit postar shqiptar nga krijimi i tij deri në ditët e sotme.
Gjithashtu u shfaq një kolazh me materiale arkivore filmike që rrëfejnë aktivitetin e shërbimeve postare, telegrafike dhe telefonike në vite, përgatitur nga AQSHF.

